Tesla, kompania e automjeteve elektrike në pronësi të Elon Muskut, ka tërhequr mijëra 'Cybertruck' të rinj për shkak të shqetësimeve të sigurisë, shkruan BBC.
Pedalet e gazit të ‘Cybertruckut’ rrezikojnë të bllokohen dhe sipas kompanisë, kjo rrit rrezikun e aksidenteve.
Tërheqja prek 3.878 automjete elektrike të këtij lloji, të cilat kushtojnë afërsisht 61 mijë dollarë një , të prodhuara midis nëntorit 2023 dhe prillit 2024.
“Nëse pedalja e gazit bllokohet mund ta përshpejtojë automjetin pa dashje, duke rritur rrezikun e një përplasjeje”, ka shkruar Departamenti Amerikan i Transportit në një njoftim për tërheqjen.
Tesla do ta rregullojë problemin pa pagesë.
Kompania ka thënë se një komponent nuk u ngjit siç duhet në pedale.
Tesla mori dy ankesa për këtë çështje nga shoferët, më 31 mars dhe 4 prill.
Kompania shkroi se “nuk ka dijeni për ndonjë përplasje, lëndim apo vdekje në lidhje me këtë gjendje”, që nga 15 prilli.
Projekti ‘Cybertruck’ është përballur me probleme të shumta - duke përfshirë thyerjen e xhamit kur Musku e demonstronte në vitin 2019.
Tërheqja e 'Cybertruckave' vjen në një moment të vështirë për kompaninë, e cila përballet me konkurrencën në rritje nga rivalët dhe ftohjen e interesit për automjetet elektrike.