Prodhuesi amerikan i automjeteve elektrike Tesla ka ulur prodhimin e veturës së saj më të shitur Model Y në fabrikën e saj në Shangai që nga marsi, ka raportuar të dielën Reuters.
Kjo masë synon të adresojë kërkesën e dobët për modelin më të vjetër të këtij prodhuesi amerikan në Kinë, ku një luftë brutale çmimesh ka shpërthyer mes prodhuesve të automjeteve elektrike.
Fabrika e Shangait, qendra më e madhe prodhuese e Teslës në nivel global, planifikoi të ulë prodhimin e Modelit Y me të paktën 20% gjatë periudhës mars deri në qershor.
Të dhënat nga Shoqata Kineze e Prodhuesve të Automjeteve (CAAM) treguan se prodhimi i Modelit Y në Kinë ishte 49,498 njësi në mars dhe 36,610 në prill, përkatësisht 17.7% dhe 33% më i ulët, krahasuar me një vit më parë.
Pavarësisht shkurtimeve të prodhimit dhe pushimeve nga puna në ekipet e shërbimit të shitjes dhe tarifimit të Tesla në Kinë, kompania ende synon të shesë 600,000 deri në 700,000 vetura në këtë vend në vitin 2024 nga 2 milionë vetura elektrike që synon të shesë globalisht.