Sekretarja amerikane e Tregtisë, Gina Raimondo, ka thënë se Shtëpia e Bardhë po heton seriozisht kërcënimin e paraqitur nga automjetet e lidhura me Kinën.
Ajo, në komentet për agjencinë Reuters, ka bërë të ditur se SHBA-ja mund të ndalojë shitjen dhe drejtimin e automjeteve që janë në çfarëdo mënyre të lidhura me Kinën.
“Qeveria është e gatshme të marrë masa ekstreme dhe të ndalojë automjetet e lidhura me Kinën nëse hetimi i nisur në shkurt tregon se ato përfaqësojnë kërcënim kombëtar. Përfundimisht, mund të ndodhë që ato të lejohen të importohen, por me kufizime”, ka thënë Raimondo.
Ajo, megjithatë, theksoi se ka ende shumë punë për qeverinë amerikane para se të merret një vendim kaq i rëndësishëm dhe se para së gjithash duhet të shqyrtohen të gjitha të dhënat e marra.
Nuk është plotësisht e qartë se cilat kritere do të duhet të plotësojnë automjetet kineze, por, për shembull, veturat amerikane Tesla vetëm së fundi kanë marrë leje për të hyrë në disa pjesë të tregut kinez, sepse u vendos që ato nuk janë kërcënim për sigurinë kombëtare në Kinë.
Një ekspert nga industria kineze e veturave kritikoi deklaratat e Raimondos, duke thënë se çdo ndalim ose kufizim do të kërcënonte parimin e tregut të lirë.
Ndërsa aktualisht është e pamundur të blihen veturat kineze BYD ose Nio në SHBA, Volvo EX30 SUV, i prodhuar në Kinë (Geely zotëron Volvon), do të jetë i disponueshëm duke filluar nga kjo verë, kurse Polestar 2 tashmë është i disponueshëm.