Prodhuesi amerikan i veturave elektrike, Fisker, është në prag të falimentimit. Problemet me shitjet dhe shkeljet e sigurisë kanë ndikuar në likuiditet.
Ashtu si në Evropë, automjetet elektrike nuk pranohen lehtësisht as në SHBA. Çmimet dhe infrastruktura nuk janë ende në favor të tyre.
Edhe Tesla, përndryshe lider në treg, regjistroi rënie nëntë për qind në shitje në tremujorin e fundit.
“TheStreet.com” raporton se Fisker, një nga konkurrentët më të mëdhenj të Teslas, është në prag të falimentimit.
Kompania kohët e fundit ka dështuar në këstet e kredisë, prandaj ka shumë gjasa që të shkojë në falimentim, çka do të thotë se do të vazhdojë të operojë në një riorganizim që duhet miratuar nga gjykata dhe kreditorët.
Përveç rezultateve të dobëta të shitjeve, ata kishin edhe probleme sigurie, gjë që u raportua edhe nga Forbes në prill. SUV-i i tyre Fisker Ocean kishte probleme me frenimin dhe doreza e derës së veturës dështoi.
Në vitin 2023, Fisker prodhoi 10.193 modele Ocean dhe shiti 4.929 prej tyre. Kompania pranoi shqetësimet e likuiditetit dhe ka thënë se po punon për një transaksion të mundshëm që mund ta shpëtonte kompaninë.
“Fisker është në bisedime me një prodhues të madh veturash për një transaksion të mundshëm që mund të përfshijë investim në Fisker, zhvillimin e përbashkët të një ose më shumë platformave të automjeteve elektrike dhe prodhimin në Amerikën e Veriut”, ka thënë kompania.
Por ata pranojnë se nuk kanë asnjë garanci se do të kenë sukses në këtë.
Kompania Fisker u themelua në Kaliforni nga danezi Henrik Fisker dhe gruaja e tij.
Ishte përpjekja e dytë e Fiskerit për të prodhuar veturë, siç kishte bërë edhe me kompaninë e mëparshme. Ka pasur edhe probleme dhe më pas falimentim pas dështimit të sistemit A123, nga i cili kanë blerë bateritë.
Fisker, i cili u bë i famshëm në vitin 2011 me sedanin sportiv hibrid Karma, u rikthye në lojë pas falimentimit në vitin 2017. Këtë herë me idenë e zhvillimit të veturave elektrike në vend të atyre hibride.
Si rezultat i punës dyvjeçare, u krijua SUV-i i ri elektrik, Fisker Ocean.