Auto

Nissan dhe Honda planifikojnë të bashkohen në një kompani

Nissan Honda

Foto: Associated Press

Prodhuesit japonezë të automjeteve Honda dhe Nissan kanë njoftuar planet për t’u bashkuar, duke formuar prodhuesin e tretë më të madh të automjeteve në botë për nga shitjet.

Lajmi ka ardhura teksa industria e automjeteve po pëson ndryshime dramatike në tranzicionin e saj nga karburantet fosile, raporton AP.

Të dy kompanitë kanë njoftuar se kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi të hënën dhe se anëtari më i vogël i aleancës “Nissan Mitsubishi Motors” gjithashtu ka rënë dakord t’u bashkohej bisedimeve për integrimin e bizneseve të tyre.

Presidenti i Hondas, Toshihiro Mibe, ka thënë se Honda dhe Nissan do të ndjekin unifikimin e operacioneve të tyre nën një kompani të përbashkët. 

Honda fillimisht do të drejtojë menaxhmentin e ri, duke ruajtur parimet dhe markat e secilës kompani.

“Qëllimi është që të kemi një marrëveshje formale bashkimi deri në qershor dhe të kompletojmë marrëveshjen dhe të listojmë kompaninë mbajtëse në Bursën e Tokios deri në gusht 2026”, ka thënë ai.

Prodhuesit e automjeteve në Japoni kanë mbetur prapa rivalëve të tyre të mëdhenj në automjetet elektrike, dhe po përpiqen të ulin kostot dhe të kompensojnë kohën e humbur.

Bashkimi parashihet të rezultojë në një gjigant me vlerë më shumë se 50 miliardë dollarë, bazuar në kapitalizimin e tregut të të tre prodhuesve të automjeteve. 

Së bashku, Honda, Nissan dhe Mitsubishi do të arrinin në një nivel për të konkurruar me Toyota Motor Corp. dhe me Volkswagen AG të Gjermanisë.

Toyota ka partneritete teknologjike me Mazda Motor Corp të Japonisë dhe Subaru Corp.