Auto

Kina thyen rekord për shitjen e veturave elektrike

Kina

Kina është bërë vendi i parë në botë që arrin të shesë më shumë se 1 milion vetura elektrike brenda një muaji. Kjo u arrit në gusht, duke regjistruar rritje në shitje prej 33 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Tregu global i veturave elektrike po rritet gradualisht dhe deri më tani këtë vit janë shitur 9.8 milionë automjete në mbarë botën, që paraqet rritje prej 20 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, rritja nuk është në të njëjtin nivel në të gjitha rajonet.

Në Evropë, shitjet e veturave elektrike ranë me 4 për qind për faktin se disa vende, si Gjermania, i dhanë fund subvencioneve. Kufizimet tregtare të vendosura nga BE-ja për automjetet elektrike kineze gjithashtu luajtën rol në këtë rënie.

Situata në SHBA dhe Kanada është më e mirë me shitjet e veturave elektrike që janë në rritje të vazhdueshme, megjithatë, rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit mund të ndikojnë edhe në këtë fushë.

Numri i shitjeve i arritur nga Kina gjatë gushtit pritet të përsëritet edhe në muajt në vazhdim, pasi sipas analistit Charles Lester, shitjet e veturave rriten zakonisht në gjysmën e dytë të vitit.