Ford Motor Co. thotë se do të reduktojë fuqinë punëtore me 4,000 në Evropë dhe në Mbretërinë e Bashkuar deri në fund të vitit 2027.
Kompania e ka arsyetuar vendimin me presionin nga rritja e konkurrencës dhe shitjet më të dobëta se sa pritej të veturave elektrike, raporton AP.
Ford ka thënë të mërkurën se shumica e shkurtimeve të vendeve të punës do të bëhen në Gjermani dhe do të kryhen në konsultim me përfaqësuesit e punonjësve.
Nga totali i punëtorëve të kompanisë, 2,900 vende pune do të shkurtohen në Gjermani, 800 në Britani dhe 300 në vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Ford ka 28,000 punonjës në Evropë dhe 174,000 në mbarë botën.
“Industria globale e automobilave vazhdon të jetë në një periudhë ndërprerjesh të konsiderueshme pasi po kalon në lëvizjen e elektrizuar”, ka thënë kompania në një deklaratë.
Në Evropë, prodhuesit e automjeteve duhet të shesin mjaft automjete elektrike për të përmbushur kufijtë e rinj, më të ulët për emetimet mesatare të dioksidit të karbonit, dhe të përballen me një objektiv afatgjatë të BE-së deri në vitin 2035 për të ulur emetimet në zero, që do të nënkuptonte eliminimin e shumicës së automjeteve me motorë me djegie të brendshme.
Megjithatë, shitjet e automjeteve elektrike kanë ngecur ndër të tjera për shkak se konsumatorët e lodhur nga inflacioni kanë frenuar shpenzimet.
Kompania ka bërë të ditur gjithashtu se do të reduktojë kohën e punës për punëtorët në fabrikën e saj në Këln, Gjermani, ku prodhon automjetet elektrike Capri dhe Explorer.