Bisedimet për bashkimin midis Hondas dhe Nissanit kanë dështuar pasi kompanitë nuk ranë dakord për nënshkrimin e marrëveshje multi-miliardëshe, shkruan BBC.
Prodhuesit japonezë të veturave, së bashku me partnerin e vogël Mitsubishi, kishin synuar të kombinonin bizneset e tyre për të luftuar kundër konkurrencës nga kompanitë rivale, veçanërisht në Kinë.
Bashkimi do të kishte krijuar një grup veturash me vlerë 60 miliardë dollarë dhe do të ishte i katërti më i madhi në botë për nga shitjet e automjeteve pas Toyotas, Volkswagenit dhe Hyundait.
Kompanitë thanë se do të vazhdojnë partneritetin për automjetet elektrike.
Karl Brauer, analist nga platforma kërkimore në internet iSeeCars.com, ka thënë se dështimi i bashkimit nuk ishte surprizë.
“Shumë shkrirje të kompanive të veturave nuk kanë funksionuar, dhe kjo kishte po aq potencial për katastrofë sa kishte për të ndihmuar të dy markat”, shtoi ai.
Bashkimi i siguronte Nissanit, e cila për një kohë ishte kompania e dytë më e madhe e veturave në Japoni, rimëkëmbje pas disa viteve probleme me shitje.
Honda hyri në negociata si drejtuese. Mbetet një markë e njohur globalisht, duke prodhuar dhe shitur më shumë vetura se Nissani.