Prodhuesi amerikan i veturave elektrike, Tesla, po kalon situatë të vështirë për shkak të deklaratave politike të shefit të saj, Elon Musk.
Tesla po përballet me rënie të madhe të shitjeve dhe çmimi i aksioneve është në rënie të vazhdueshme.
Pas dy muajve të parë të vitit 2025, kompania Tesla raportoi rënie në tregun evropian prej 44 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga fillimi i vitit deri në fund të shkurtit, marka amerikane shiti vetëm 25.852 vetura në Kontinentin e Vjetër. Duke e krahasuar këtë shifër me 46 mijë njësi të shitura vitin e kaluar, Tesla ka arsye për t'u shqetësuar.
Në janar, shitjet evropiane të Teslas ranë me 45 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nuk ishte më mirë në shkurt, kur shitjet në Evropë ranë me 44 për qind, sipas të dhënave të reja nga Dataforce.
Rënia më e madhe në të gjithë kontinentin u regjistrua në Gjermani, ku shitjet ranë me 76 për qind muajin e kaluar. Deklaratat e fundit të Muskut, si dhe mbështetja për politikanët e ekstremit të djathtë në disa vende evropiane, kanë çuar në protesta dhe bojkotime të shitjeve.
Kohët e fundit, disa sallone të Teslas në mbarë botën janë vandalizuar, madje në disa raste veturave të markës u është vënë flaka.