Presidentit të shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden i është kërkuar të ndalojë importin e makinave elektrike të prodhuara në Kinë.
Senatori Sherrod Brown, ka shkruar se "automjetet elektrike kineze janë një kërcënim ekzistencial për industrinë amerikane të makinave".
Komentet e tij janë më të fuqishmet që janë bërë për këtë çështje nga ndonjë ligjvënës.
Ndërkohë që disa të tjerë kanë bërë thirrje për rritje të tarifave të importit, në mënyrë që makinat elektrike kineze të mbahen jashtë vendit.
Në shkurt të këtij viti Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se do të hapë një hetim për të vërtetuar nëse makinat kineze përbëjnë një rrezik për sigurinë kombëtare.
“Ne nuk mund ta lejojmë Kinën që e mbështetur nga Qeveria të sjellë mashtrimin e saj në industrinë amerikane të makinave”, është shprehur senatori Brown në një video në rrjetin social X.
Senatori Brown, i cili është demokrat, po kërkon të fitojë një mandat të katërt në detyrë në zgjedhjet e nëntorit.
Shtëpia e Bardhë nuk i është përgjigjur BBC-së lidhur me këtë çështje.
Në shkurt, presidenti Biden ka thënë se politikat e Kinës mund të përmbysin tregun amerikan me makinat e prodhuara atje, siç ka theksuar “duke paraqitur rreziqe për sigurinë kombëtare". Biden ka thënë se nuk do të lejonte që kjo të ndodhte në kohën e tij.
“Washingtoni mund të vendosë kufizime lidhur me shqetësimet se teknologjia në makinat e prodhuara në Kinë mund të ‘mbledhë të dhëna të ndjeshme mbi shoferët dhe pasagjerët e tyre", thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.
Ajo paralajmëroi se makinat që janë të lidhura me internetin "përdorin rregullisht kamerat dhe sensorët e tyre për të regjistruar informacion të detajuar mbi infrastrukturën amerikane, mund të ndërveprojnë drejtpërdrejt me infrastrukturën kritike dhe mund të pilotohet ose të çaktivizohet në distancë".
Kina është prodhuesi më i madh i makinave në botë dhe konkurron me Japoninë për të qenë eksportuesi më i madh i automjeteve.