Duke filluar nga muaji i ardhshëm, veturat elektrike të importuara nga Kina në Evropë do të tatohen me tarifa të ndryshme doganore, me një maksimum prej 38 për qind. Njoftimi u bë i ditur nga Komisioni Evropian.
Lëvizje të ngjashme ndaj veturave elektrike kineze bën edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqia.
Komisioni Evropian hapi hetim vitin e kaluar për importimin e veturave elektrike kineze dhe ka publikuar rezultatet e përkohshme. Përfundimi është se, falë subvencioneve që marrin në vendin e tyre, kompanitë kineze kanë avantazh të paligjshëm kur importojnë vetura elektrike në Evropë.
Aktualisht, veturat e importuara të prodhuara në Kinë kanë tarifë 10 për qind. Megjithatë, nga 4 korriku, kjo normë do të shkojë deri në 38 për qind në disa raste. Për shembull, BYD do të paguajë 17.4 për qind, Geely 20 për qind dhe SAIC, e cila me ndihmën e ish-markës britanike MG shet më së shumti në Evropë, do të paguajë 38.1 për qind. Markat e tjera që ishin kooperativë do të paguajnë taksë prej 21 për qind.
Këto tarifa janë të përkohshme. Hetimi pritet të përfundojë deri në fillim të nëntorit, kur akuzat dhe tarifat doganore do të bëhen përfundimtare.
Shumë prodhues evropianë të automjeteve kundërshtojnë këto tarifa, nga frika e hakmarrjes kineze. Këta janë kryesisht BMW-ja dhe Mercedesi, të cilët besojnë se vendosja e taksave shtesë do të shkaktojë efekt negativ.