Aksionarët e Teslas kanë mbështetur marrëveshjen për pagesën rekorde për shefin e saj, Elon Musk, dhe kanë miratuar planin për ta zhvendosur selinë ligjore të firmës në Teksas.
Pakoja ishte bllokuar në fillim të vitit mbi shqetësimet se ishte e padrejtë për aksionarët e Teslas.
Vota është një fitore për multimiliarderin, i cili kishte bërë fushatë të ashpër për pagesën, që është me vlerën 45 miliardë dollarë.
“Ju dua djema”, u tha ai një turme entuziaste aksionarësh që ishin mbledhur në Teksas.
Megjithatë, ekspertët ligjorë kanë thënë se nuk është e qartë nëse gjykata që bllokoi marrëveshjen në fillim të vitit do ta pranojë këtë rivotim dhe do t’i lejojë kompanisë ta vë në funksion pakon, raportoi BBC.
Shuma marramendëse ka nxitur kritika dhe ka ngritur shqetësime se bordi i kompanisë është i nënshtruar dhe shumë i afërt me Muskun.
Musk pati thënë se dëshiron ta zhvendosë selinë ligjore në Teksas pasi një gjykatës në Delaware anuloi pakon. Lufta për planin kishte ngritur shqetësime edhe për udhëheqjen e Muskut, në një kohë kur aksionet e Teslas kishin rënë dhe industria e veturave elektrike ishte nën presion.
Por, Musk mblodhi njerëzit e tij për ta mbështetur pakon duke apeluar te investitorë individualë.
Pakoja i jep Muskut të drejta për afër 10% të aksioneve të firmës si shpërblim për arritjen e synimeve të firmës që dikur konsideroheshin të parealizueshme – për shembull, të bëhej një firmë prej 650 miliardë dollarësh.