Hapësirë e sponsorizuar

Përtej shikimit

Grua shembull dhe model për të qëndruar e fortë përpara sfidave dhe një avokuese e pashoqe për të drejtat e grave të verbra në Kosovë, janë vetitë me të cilat bashkëpunëtorët e përshkruajnë drejtoreshën e Komitetit të Grave të Verbëra në Kosovë, Bajramshahe Jetullahu. Ajo vazhdon të lërë gjurmë për fuqizimin dhe pavarësimin e vajzave dhe grave të verbra në Kosovë edhe sot

Jeta nuk u tregua aq e drejtë dhe bujare për Bajramshahe Jetullahun, madje as në fëmijërinë e hershme, atëherë kur ajo kishte hedhur hapat e parë. Përkundrazi. 

Në moshën dyvjeçare ajo mbeti pa njërin prind. Mungesa e ngrohtësisë dhe e dashurisë së nënës bëri që ajo të vuante e të mos gjente qetësi. Për kohë të gjatë nuk kishte reshtur së qari, e për pasojë iu dëmtua damari optik në të dy sytë, duke i shkaktuar verbri. Iu deshën disa intervenime kirurgjike për ta mundësuar rikthimin e të parit në njërin sy, e për t’ia bërë më të lehtë përballimin e sfidave që nuk ishin të pakta.  

Bajramshahja rrëfen se si deri në periudhën e luftës kishte arritur të shihte mjaftueshëm sa të shërbehej edhe me alfabetin 36-shkronjash, ndonëse shkollimin fillor dhe atë të mesëm i kishte ndjekur në institucionet arsimore për të verbër - fillimisht në Mitrovicë e Prizren, pastaj edhe në Kroaci.

Me të përfunduar shkollën, ajo gjen punë si telefoniste në Radiotelevizionin e Prishtinës, ku dha kontribut për disa vjet, deri në periudhën kur të gjithë punëtorët shqiptarë të kësaj ndërmarrjeje u dëbuan nga regjimi serb.

Për arsye ekonomike u detyrua të largohej nga Kosova në drejtim të Italisë, së bashku me fëmijët dhe bashkëshortin. Në ditën kur u nënshkrua Marrëveshja për përfundimin e luftës, ajo kishte planifikuar fluturimin për në Kosovë. Por udhëtimi iu shty pasi u përball sërish me një fatkeqësi. Nga një rrëzim aksidental kishte lënduar syrin që i shkaktoi përsëri humbje të shikimit.  

As kthimi në vendlindje, që iu shty për disa muaj, nuk qe i lehtë. Shtëpia i ishte djegur e shkatërruar. E po ashtu nuk kishte më një vend të sigurt pune. 

Por Bajramshahja, tash 64 vjeçe, gruaja që jeton mes dhimbjes, sakrificës, solidaritetit, por edhe vullnetit për të qëndruar e fortë, nuk ishte dorëzuar as para kësaj sfide.

“Kam qenë aktiviste e Shoqatës edhe para luftës. Atëherë kur ka qenë Serbia, mbanim mbledhje nëpër Tokbashqe, nëpër Gërmi, që nuk i pranonim ligjet e tyre, edhe pas luftës veç u aktivizova. E bëra në mendje që edhe mua më ka ndihmuar dikush atëherë kur unë kam pasur nevojë për dikë. Edhe mbetën me pasoja lufte, mbetën shumë të verbër, edhe thashë unë dua të bëj diçka. Na erdhi një prej Suedie, një femër e verbër, kryetare e Unionit Evropian edhe po më thotë: ‘Bajramshahe pse nuk po e hap ti shoqatën e grave, do të kesh prej ambasadave, prej të gjithëve do të kesh përkrahje’”, ka thënë Jetullahu.

Iniciativën për shoqatë, Bajramshahja e jetësoi më 2006, kur aktivizimit të pareshtur ia vuri emrin “Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës”. Kjo organizatë që numëron afro 800 anëtare, për synim kishte fuqizimin dhe pavarësimin e vajzave dhe grave të verbra në Kosovë. 

“Kemi bërë projekte të ndryshme, si pikë së pari ka qenë atëherë, kemi thënë zhdukja e analfabetizmit, por që tash po e themi zbutja se zhdukja kurrë nuk mundet me qenë, edhe pse, shembull, e kanë ditë alfabetin e zi. Po, mirë, nëse është verbuar pa marrë parasysh prej nga i ka ardhur, qoftë prej sëmundjes, qoftë prej torturave të ndryshme, atëherë mbetet analfabet për shkak se me sy nuk mundet të lexojë, me dorë nuk mundet ta prekë shkrimin e zi.... Atëherë e kemi pasur atë iniciativë edhe në të gjitha shtatë shoqata kanë qenë, i kemi marrë nga 6 në secilën shoqatë dhe ua kemi mësuar Alfabetin e Brajlit, e pastaj, në vitet në vijim, kanë qenë edhe aktivitete të ndryshme, p.sh. orientimi në ambient dhe hapësirë, edhe tash, kohë pas kohe, trajnimi për kuzhinë”, ka thënë ajo.

Ndonëse si organizatë funksionon vetëm përmes projekteve dhe donacioneve, Bajramshahja thotë se sipas mundësive, mundohet t’u dalë në krah të gjithë personave në nevojë.

“Kemi punuar vullnetarisht, s’kemi këqyr a kemi projekte a nuk kemi, veç a ka treguar nevojë dikush, a është ardhur dikush të më thotë: ‘Drejtoreshë unë kam nevojë për ta mësuar Alfabetin e Brajlit’. Unë kam qenë në gjendje gjithë ditën e natën, qoftë edhe në 12 të natës, nëse më thirr dikush për të më thënë p.sh. ‘drejtoreshë kom nevojë për të ardhur në Shoqatë për një x problem’, unë kam qenë në gjendje të vijë edhe natën për t’i ndihmuar dikujt”, ka thënë Jetullahu.

Iniciativat për shkollimin e vajzave nuk kanë reshtur as tash. Komiteti i Grave të Verbëra në Kosovë ka dhuruar disa pajisje, të quajtura kamera llupë, për shkolla të ndryshme në kryeqytet, aty ku është paraqitur kërkesa, duke u dalë në ndihmë nxënësve me probleme në shikim.

“Kudo qoftë që është një femër, që ka nevojë për ne, ne jemi aty. Nuk hezitojmë a është anëtare apo s’është anëtare e imja. Pa marrë parasysh edhe nëse nuk është anëtare imja e i nevojitet një makinë shkrimi, nëse unë kam, unë ia çoj. Nuk është kurrfarë problemi ajo pse nuk është anëtare imja. Kryesore është te ne që të përfitojë i verbri, po në këtë rast sidomos fëmijët edhe studentët”, ka thënë drejtoresha e Komitetit të Grave të Verbëra.

Një kamerë llupë ka zënë vend në njërën prej klasave të shkollës “Iliria” në kryeqytet. Dy nxënëse të kësaj shkolle përfitojnë çdo ditë nga pajisja që e lehtëson procesin mësimor. 

Arsimtarja e gjuhës shqipe, Shkëndije Olluri, tregon për përparësitë dhe lehtësimet që u janë ofruar për realizimin e orës mësimore, prej kur pajisjen e kanë në dispozicion.

“Është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe, duke falënderuar Shoqatën e Grave të Verbëra të Kosovës, me sjelljen e kësaj pajisjeje. Më përpara nxënëset kishin vështirësi të lexonin deri në fund një tekst, tashmë e lexojnë pa asnjë problem të vetmin, të tërin, njësoj sikurse edhe nxënësit e tjerë. Pra, ekziston një dallim shumë i madh krahasuar me kohën kur mungonte kjo pajisje dhe tani që e kemi pajisjen në dispozicion. Kjo është një ndihmesë e madhe edhe për nxënësit e tjerë, të cilët në vazhdimësi mund të kenë probleme të tilla”, ka thënë Olluri.

Dhurimi i kësaj aparature në gjysmëvjetorin e parë ka ndikuar që nxënëset të nxënë hapin dhe të mos mbesin mbrapa në mësime, thotë drejtoresha e shkollës “Iliria”, Drita Nishefci, për çka ndihet mirënjohëse dhe falënderuese.

“Në ciklin e ulët nxënëset kanë pasur vështirësi pa këtë aparaturë ku mësuesja, kemi diskutuar sa herë e sa herë, çdo herë ka qenë e detyruar që çdo test, çdo mësim ta fotokopjojë me shkronja më të rritura që ta ketë më lehtë, mirëpo e patë edhe vetë punën e aparaturës, d.m.th. është shumë e lehtë, por është shumë domethënëse dhe është shumë lehtësuese angazhimi i vajzave, puna edhe gjatë orës, d.m.th. me të vërtetë është bërë një punë e madhe. I falënderohem kryetares së Shoqatës, Bajramshahe Jetullahu, e cila as një minutë nuk ka hezituar për ta sjellë aparaturën kur e ka marrë informatën që shkolla ‘Iliria’ ka nevojë dhe besomëni që është bërë një vepër e jashtëzakonshme”, ka thënë Nishefci.

Në mesin e gjashtë shkollave që kanë përfituar kamerën llupë nga Komitetit i Grave të Verbëra është edhe shkolla “Ismail Qemali” në kryeqytet. Drejtoresha Mimoza Krasniqi, këtë donacion e ka vlerësuar si të domosdoshëm. 

“Ka numër të madh të fëmijëve me aftësi ndryshe, shkaku i numrit të madh na kanë pyetur dhe kemi shkëmbyer emaile rreth numrit të nxënësve, problemet që i kanë fëmijët. Dhe e kanë parë të arsyeshme që kjo vajzë ka nevojë për këtë pajisje. Se sikur mos të kishte pasur nevojë, shkolla edhe nxënësja normal që nuk ishte dorëzuar, ishte dërguar në një shkollë e cila ka nevojë më të domosdoshme, ky u kanë qëllimi i drejtoreshës së Shoqatës për ta dërguar në shkollën tonë, dhe e falënderoj shumë”, ka thënë Krasniqi. 

Përveç në ciklin fillor, Komiteti i Grave të Verbëra është angazhuar që t’ua lehtësojë studentëve edhe studimet në nivelin akademik. E kjo u bë e mundur përmes audioincizimit të librave psikologjikë. Pas Fakultetit të Psikologjisë, vitin e kaluar ka filluar edhe audioincizimi i materialeve të Fakultetit Juridik.

Dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka, thotë se krijimi i kushteve të përshtatshme për të gjitha kategoritë e studentëve ofron mundësi studimi pa dallim.

“Sigurisht, Komiteti i Grave është një kontribut i veçantë, për çka unë i përgëzoj dhe i inkurajoj që, se me të vërtetë bëjnë një punë edhe humane për një kategori të veçantë, edhe incizimi i librave që t’i kenë në formë audio në këtë fazë për studentët e vitit të parë, për ata që kanë nevojë është i domosdoshëm për këtë kategori dhe ne sigurisht e vlerësojmë shumë dhe është një ndihmesë për studentët e ardhshëm që potencialisht do të jetë pjesë e Fakultetit Juridik”, ka thënë Puka. 

Kontributin e Jetullahut ndër vite e ka çmuar lart edhe udhëheqësi i Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Kryeministrisë, Habit Hajredini.

“Me zonjën Jetullahu ka shumë vjet, mbi 15 vjet, që unë kam bashkëpunim, që e njoh. Kur themi bashkëpunim institucional dhe përtej asaj. Është një prej aktivisteve shumë të devotshme që ka shtyrë shumë procese falë bashkëpunimit tonë për të drejtat e grave të verbra, natyrisht, ajo e udhëheq një koalicion të tillë. Ka qenë një nga ato gratë që nuk është ndalur kurrë për ne, jo veç me trokit, por edhe për të kërkuar dhe adresuar të tjera çështje, por edhe në të njëjtën kohë, duke u bërë bashkëpunëtore për zgjidhjen e problemeve”, ka thënë Hajredini.

Ai thotë se Komiteti i Grave të Verbëra ka ngritur zërin për sfidat e grave të verbra, duke luftuar pa ndalur për respektimin e të drejtave të tyre.

“Puna e jonë e përbashkët dhe rrugëtimi i saj ka qenë me shumë vlerë, natyrisht kemi arritur jo vetëm me ngritë vetëdijen e grave të verbra, por edhe të masës së gjerë për të respektuar të drejtat e personave të verbër. Ka qenë një nga lobueset dhe shtytësit kyçë për të miratuar, iniciuar dhe zhvilluar Ligjin për Personat e Verbër. Unë e kam udhëhequr këtë proces dhe gjithmonë kemi bashkëpunuar ngushtë me zonjën Jetullahu në takime të shumta me gratë e niveleve të ndryshme, të zonave të ndryshme që ka sjellë nga Kosova në nivel qendror për të ngritur shqetësimet, për të zgjidhur problemet e përbashkëta. Mund të them që është një nga ato figurat tepër të rëndësishme në vendin tonë, jo vetëm që ka atë kauzën për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, por vetë si grua e verbër ka luajtur një rol model, shembull për të punuar në të mirë të personave të verbër”, ka thënë Hajredini.

Por drejtoresha e Komitetit të Grave të Verbëra kritikon institucionet për neglizhencë dhe premtime të parealizuara ndër vite. Thotë se zbatohen vetëm dy apo tri nene të Ligji aktual për të verbrit.

“Edhe ne kemi nevojë, por nuk po duan të dëgjojnë as ato qeveritë e mëhershme, as kjo e sotme. Shkojmë trokasim në dyert e tyre. Derisa të jemi brenda, na thonë natën e ditën dera është çelur për ju. Po mirë, qoftë edhe nëse dalim prej aty edhe ke harru diçka brenda, ajo derë mbyllet më. As terminin nuk mund ta caktosh. Kjo është më keq”, ka thënë Bajramshahe Jetullahu.

Falë trajnimeve të ndryshme që i përfundoi për punë dore, Jetullahu tani është në gjendje të thurë veshje, e në to me kujdes të veçantë punon edhe detaje të ndryshme.

Ajo tregon se një pjesë e rrobave që i ka punuar bashkë me gra të tjera i ka dhuruar disa vjet më parë për persona në nevojë, gjatë tërmetit në Shqipëri.

Por pavarësisht aftësimit dhe pavarësimit të personave të verbër, veçanërisht vajzave dhe grave, ajo thotë se institucionet nuk janë kujdesur për t’iu gjetur punë të përshtatshme dhe për t’i sistemuar në institucione. Madje thotë se e drejta për punësim nuk respektohet as siç e parasheh ligji.

“Shkoj unë që t’i them një prindi, p.sh. të Kaçanikut. Shkoj dhe e di se është një femër apo mashkull, shkoj i them: ‘Ti nuk duhet ta lësh këtë të jetë barrë e shoqërisë në të ardhmen. Ti duhet t’i japësh mundësi që ky fëmijë të shkollohet, të bëhet i pavarur, të jetë ai që e siguron kafshatën e gojës për veti, po edhe për familjen’. Atëherë menjëherë ngurrojnë, nuk i dërgojnë... Kemi shumë studentë që me të vërtetë janë të përpiktë, e kanë krye një shkollim edhe janë të aftë për profesionin e vet që e kryejnë, mirëpo fatkeqësisht puna ku është? Puna nuk na sigurohet… E kështu që, kur po bëjmë përpjekje për t’i çuar nxënësit në shkollë, neve prindërit, për shembull, po na thonë: ‘Po çka nëse e çojmë në shkollë, e pastaj?’. Pastaj, ne nuk mundemi t’ju garantojmë vend pune, se kurrkush, shteti duhet me qenë ai që e bën një hap përpara për punësim”, ka thënë Jetullahu.

Pavarësisht kësaj, Bajramshahja kërkon nga gratë dhe vajzat e reja që të mos heqin dorë deri në realizimin e të drejtave të tyre.

“Vajzat edhe gratë e verbra i kisha lutur që të mos hezitojnë, gjithnjë të luftojnë për të drejtat e tyre dhe derisa t’i realizojnë, të mos heshtin. Obligim e ka shteti çdo gjë që është e paraparë me ligj që ta realizojë dhe ne nuk duhet të heshtim”, ka thënë drejtoresha e Komitetit të Grave të Verbëra.

E përderisa institucionet heshtin para padrejtësive, Bajramshahja do të vazhdojë të jetë mbështetje e çdo gruaje dhe vajze të verbër në Kosovë.

(Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Human Rightivism”, që implementohet nga “Integra” dhe mbështetet nga Fondi për Zhvillim Komunitar - CDF dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë).