Vetim Shala është zgjedhur sekretar i ndërmarrjes publike “Hidroregjioni Jugor” në Prizren, teksa mban pozitën e sekretarit të Vetëvendosjes në këtë komunë. Shala dhe përfaqësues të Bordit të ndërmarrjes insistojnë se zgjedhja ishte e ligjshme, por nga shoqëria civile thonë se zgjedhja sekretar e Shalës, bie në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Ndërmarrjet Publike
Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Prizren, Vetim Shala, ka afro dy muaj që është zgjedhur sekretar i ndërmarrjes publike “Hidroregjioni Jugor” në këtë komunë, pa përmbushur pikat e konkursit e në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.
Bazuar në konkurs, secili kandidat duhej t’i plotësonte kriteret e pavarësisë siç parasheh neni 17.2 i Ligjit për Ndërmarrjet Publike, e sipas të cilit në 36 muajt e fundit ata nuk duhej të ishin bartës i një posti udhëheqës në parti.
Shala aktualisht ushtron pozitën e sekretarit të Vetëvendosjes, dega në Prizren.
“Po, vazhdoj të mbaj ende këtë pozitë”, u shpreh Shala.
Ai theksoi se ka plotësuar të gjitha kriteret e konkursit dhe ato ligjore për të qenë sekretar i ndërmarrjes.
“Unë mendoj që përzgjedhja ime si sekretar është bërë komplet në procedurë ligjore sepse në bazë të kritereve do të thotë në bazë të konkursit qysh është paraparë. Unë besoj që i kam plotësuar të gjitha kriteret ligjore. Bordi ashtu ka vendosur edhe ekzistojnë procesverbalet që unë kam dalë aty më i miri”, ka thënë sekretari LVV-së.
Bordi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (K.R.U.) “Hidroregjioni Jugor”, i emëruar prej Qeverisë së drejtuar nga partia në të cilën shërben Shala, e ka emëruar sekretar.
Feim Fetoshi, kryesues i Bordit, ka deklaruar se nuk e ka ditur për funksionin që sekretari ka në Vetëvendosje, por ka insistuar se zgjedhja ishte e ligjshme.
“E para unë nuk kam pasur asnjë informacion që z.Vetim Shala është, do të thotë për përkatësinë (politike v.j.) e ti. I gjithë dokumentacioni na ka ardhur, që ku ka punuar, përvoja e punës. Do të thotë ka ushtruar detyrën e zyrtarit ligjor në një kompani mbi pesë vite, e kam kontrolluar personalisht, e kam parë, sepse kushti ka qenë së paku pesë vjet përvojë pune”, ka thënë ai.
Sipas kryesuesit të Bordit, “nuk ka kosovar që nuk është anëtar i ndonjë partie”. Ai u shpreh se nuk është e logjikshme të mos konkurrojë një person për këtë arsye.
“Nuk kam pasur as informacione dhe as në kriter të Ligjit, të konkursit nuk ka qenë që me kontrollu ne kush ka qenë, a ka qenë pjesëtar i ndonjë partie se tek e fundit nuk është çështje e imja me këqyrë atë punë”, ka vazhduar tutje Fetoshi.
Sipas tij, në rast se vërtetohet që ka shkelje do të anulohet konkursi. E për vërtetim të konkursit që u përzgjodh Shala sekretar, u zotua se do të kërkojë interpretim ligjor.
Vetëvendosje në vazhdimësi ka kritikuar qeveritë e kaluara për politizim të ndërmarrjeve publike.
Ndërkohë, Lavdim Makshana, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se zgjedhja sekretar e Shalës, bie në kundërshtim me dispozitat e Ligjit.
“Ligji ka paraparë edhe afatin kohor se kur një zyrtar i caktuar mund të zgjidhet sekretar në një ndërmarrje publike e që parashihet afati, pra është në çdo kohë ose jo më shumë se 36 muaj që kanë kaluar nga kur zyrtari ka mbajtur një pozitë tjetër e që rrjedhimisht nga të gjitha këto që theksohen me Ligjin për Ndërmarrjet Publike i bie që zyrtari kundërligjshëm është duke e mbajtur edhe pozitën e sekretarit në Ndërmarrjen Publike”, ka vlerësuar Makshana.
Megjithatë, vetë Shala insiston se për pozitën ku është zgjedhur i lejohet të jetë sekretar i Vetëvendosjes në Prizren.
“Pozicioni i sekretarit të partisë, do të thotë i sekretarit të Qendrës në Lëvizje këtu, nuk është pozicion udhëheqës ose vendimmarrës. Pozicioni im ka të bëjë me çështjet organizative dhe çështjet administrative, i cili nënkupton që nuk është pozicion udhëheqës ose vendimmarrës”, ka thënë Vetim Shala.
Por sipas Makshanës, pozita e sekretarit është e rëndësisë së lartë në një ndërmarrje publike dhe duhet të ushtrohet me orar të plotë. E që për Shalën, vlerëson se nuk mund t’i ushtrojë të dyja.
“Sekretari është përgjegjës për menaxhimin e punëve të ndryshme brenda ndërmarrjes publike dhe në këtë mënyrë kërkohet që punën e tij ta ushtrojë brenda orarit të plotë të punës. Rrjedhimisht duke i pasur parasysh këto, mund të themi që nuk është e mundur që i njëjti t’i ushtrojë, t’i ketë dy vende të punës. Pra edhe si sekretar diku tjetër edhe ta ushtrojë një pozitë në një ndërmarrje publike, për shkak se siç e thashë, është një pozitë goxha e rëndësishme në nivel të ndërmarrjes publike”, ka theksuar zyrtari ligjor në IKD.
Konkursi për pozitën e sekretarit të ndërmarrjes publike “Hidroregjioni Jugor” është shpallur më 25 gusht të këtij viti. Në të kanë aplikuar gjashtë kandidatë, katër prej të cilëve ishin në listë të ngushtë.