Arbëri

Zyrtarët që s’marrin grada diplomatike do të largohen nga Ministria e Jashtme

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me ndryshimet e bëra në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm është përcaktuar që t’i largojë të gjithë zyrtarët e 14 departamenteve që nuk i plotësojnë kushtet për të marrë grada diplomatike. E për ata zyrtarë që do të marrin grada, do të rriten edhe pagat

Ministria e Punëve e Jashtme planifikon t’i largojë nga ky institucion të gjithë zyrtarët e 14 trupave, kryesisht departamente të saj që nuk plotësojnë kushtin për të marrë grada diplomatike. E kusht i vënë është njohja në nivel të avancuar e një gjuhe të huaj.

Ky përcaktim figuron në Projektligjin për Shërbimin e Jashtëm, i cili tashmë e ka kaluar fazën e konsultimit publik. 

“Nëpunësi nga paragrafi 2 i këtij neni, i cili nuk i plotëson kriteret e parapara me këtë nen për marrjen e gradës diplomatike, transferohet në një pozitë të përshtatshme në shërbimin civil”, thuhet në paragrafin 4 të nenit 61 të Projektligjit për Shërbimin e Jashtëm.

Bazuar në projektligj, punonjësit e 12 departamenteve, një divizioni, ata të Akademisë Diplomatike dhe udhëheqësi i një njësie, do të marrin grada diplomatike, me kusht që të paraqesin dokumentacion të besueshëm se zotërojnë nivel të avancuar të gjuhës angleze ose të një gjuhe tjetër të huaj. 

Bazuar në të, drejtuesit e mesëm e marrin gradën diplomatike ministër këshilltar ose këshilltar; drejtuesit e ulët e marrin gradën këshilltar ose sekretar i parë; mbajtësit e pozitës profesional 1 e marrin gradën diplomatike sekretar i parë ose sekretar i dytë; mbajtësit e pozitës profesional 2 gradën sekretari dytë ose sekretar i tretë; ndërkaq mbajtësit e pozitës profesional 3 e marrin gradën diplomatike atashe.

Pjesës së stafit që do të mbetet në ministri, bashkë me gradat, parashihet t’u rriten edhe pagat. Kjo meqë pozitat që mbajnë nuk kanë koeficientin e njëjtë me gradat diplomatike që do t’i marrin. Gradat që u janë përshkruar në projektligj kanë koeficient që ua shton pagën deri në 200 euro.

E, sa i përket personelit të misioneve diplomatike dhe posteve konsullore, sipas draftligjit, me pëlqimin e Ministrisë përgjegjëse për Financa, Ministria e Jashtme nxjerr akt nënligjor lidhur me kompensimin e personelit administrativ dhe atij teknik, si dhe të personelit shërbyes të misioneve. Por, në të theksohet vërejtja që miratimi i këtij akti nënligjor duhet të bëhet nga Qeveria e jo nga ministria.