Arbëri

Zyrtarë të VV-së shpërndajnë sondazhin që i nxjerr fitues, opozita i akuzon për manipulim

Albin Kurti (LVV), Bedri Hamza (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK) & Ramush Haradinaj (AAK)

Albin Kurti (LVV), Bedri Hamza (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK) & Ramush Haradinaj (AAK)

Një sondazh për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ka nisur të qarkullojë në rrjete sociale. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, i ka publikuar të dhënat, që sipas tij, paraqesin një sondazh të fundit të kryer nga organizata “UBO Omnibus” në dhjetor, e që e nxjerr VV-në udhëheqëse të garës politike në prag të zgjedhjeve parlamentare, me mbi 47 për qind.

Sipas tij, në këtë sondazh nuk janë numëruar votat e mërgatës, që në zgjedhjet e shkuara ishin në shumicë dërrmuese me Vetëvendosjen.

Në fotografinë e publikuar, Vetëvendosje del se prin në garën për zgjedhjet e përgjithshme me 47.1 për qind. Pas saj, është Partia Demokratike e Kosovës me 19.5 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.7 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 6.5 për qind.

“Pas 4 vitesh sharje dhe fyerje nga opozita dhe disa analistë, përpjekjet për ta dobësuar Lëvizjen dështuan. Rezultati është i qartë: 47.1% pa përfshirë votat e mërgatës. Tani është koha që mërgata të regjistrohet dhe të jetë pjesë e këtij suksesi. Synimi: 100 mijë të regjistruar”, ka shkruar ai në Facebook.

Jehonë fotografisë së njëjtë i ka dhënë edhe faqja “Lëvizja Vetëvendosje – Koln”. “Një sondazh tregon se VV është partia më e besueshme dhe më e dashur në Kosovë, e cila i ka frikësuar pa masë partitë e tjera. Ky rezultat është arritur ende pa bërë Albin Kurti fushatë dhe pa e llogaritur mërgatën”, thuhet në postim të kësaj faqe.

KOHA ka konfirmuar nga zyrtarë brenda disa partive se matje të tilla bëhen rregullisht, e se të dhënat e fundit u janë dorëzuar të paktën disave prej tyre.

Të gjithë matjen, Paris Guri, kandidat për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ka cilësuar manipulim nga pushteti.

“Në çdo fshat, e në çdo qytet, kudo në Kosovë, po e shohim rikthimin e madh të LDK-së. Kjo po shihet nga të gjithë. Prandaj, VV është në panik. Njëjtë kanë vepruar edhe në 2021. Një ditë para zgjedhjeve lokale, e vendosi pikërisht kjo kompani LDK-në të tretën. Kurse ne fituam. Ata edhe sot po manipulojnë, mirëpo prapë do të humbin siç humbën në zgjedhje”, ka thënë ai për KOHËN.

Këtë sondazh AAK-ja e ka quajtur të fabrikuar. Drejtori për Informim në AAK, Lulëzim Blaka, ka thënë se bazuar në matjet që ai ka parë gara për vendin e parë është e hapur. 

“Kanë mbetur edhe 54 deri në rrëzimin e Kurtit nga pushteti. Ndërkohë, në përpëlitjet e fundit të regjimit, bën pjesë edhe publikimi i ‘sondazheve’. Sondazhet e tyre, sponzorizuar nga mafia energjetike, bëhen nga një komedian. Po ashtu ato publikohen nga një komedian si Mefaili, sepse VV e ka të qartë humbjen e thellë. Në tri matje serioze që i kam parë, mund të ju them që pas matjes së tretë, gara për vendin e parë është e hapur”, ka theksuar Blaka.

Sipas tij “matja e fundit serioze, e tregon një Vetëvendosje që ka rënë nën 35%”.

“Komediani që ka bërë ‘sondazhet’ para pak kohe deklaroi që janë 150 mijë votues të rinj. E në fakt, Agjencia e Statistikave të Kosovës, flet për 85 mijë të lindur në vitet 2004 - 2006 (votues për herë të parë). Është një pasaktësi në masën 44%. Të njëjtën pasaktësi e ka edhe në ‘sondazhin’ e fabrikuar”, ka deklaruar Blaka. 

Ai ka thënë se AAK-ja dhe partitë e tjera opozitare janë në garë për vendin e parë. “Sa i përket Aleancës dhe koalicionit, krahasimi mes matjeve tregon një rritje 230%. Dhe kjo, para publikimit të listës. Po e presim matjen e katërt, ku do të reflektohet edhe fuqia e listës kandiduese. Aleanca është në garë për vendin e parë, ashtu si dhe partitë e tjera opozitare. Njeriu që mashtroi qytetarët e Kosovës, Albin Kurti ka marrë fund”, ka theksuar ai. 

Të dhënat jozyrtare janë komentuar nga konsulenti Shenoll Muharremi. Ai ka thënë se nuk iu beson shumë rezultateve të publikuara se “nuk ka shumë logjikë me qenë reale me ndodhë në bazë të të gjithë parametrave tjerë real”.

Ndërkaq në një publikim të mëvonshëm të martën në Facebook, Muharremi ka publikuar një “testim” të matjes. Ai ka përllogaritur dy skenarë, në të cilët njëri do të kishte 830 mijë votues total dhe tjetri 750 mijë. Në të dy skenarët, sipas matjeve të tij, Vetëvendosja duhet të humbë vota. Sipas tij, sa më e ulët të jetë pjesëmarrja në zgjedhje, Vetëvendosja humb më shumë vota.

Deri tash, zyrtarë të partive tjera opozitare nuk e kanë komentuar publikimin.

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen më 9 shkurt.

Në zgjedhjet e 2021-s, Vetëvendosje doli e para me rreth 440 mijë vota apo 50.2 për qind. PDK-ja ishte e dyta me 17 për qind, LDK-ja e treta me 12.7 dhe AAK-ja e katërta me 7.1 për qind.