Bislim Zyrapi ka dëshmuar edhe të martën në Hagë, ku ka arsyetuar vendimin e Shtabit të Përgjithshëm që pjesëtarët e UÇK-së të mos përdornin më maska. Ai tha se vendomi u mor, pasi në emër të UÇK-së, ndaloheshin njerëz e edhe u merreshin para
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi ka thënë se individë me maska ndalonin njerëz e merrnin mjete materiale në emër të Ushtrisë Çlirimtare, ndonëse nuk ishin pjesë e saj.
Në dëshminë e tij në Hagë, të martën, në rastin ku për krime lufte po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, Zyrapi është pyetur lidhur me një vendim të Shtabit, për të ndaluar përdorimin e maskave nga ushtarët e UÇK-së.
“A mund të na e shpjegoni pse ishte problem që njerëzit ose ushtarët vendosnin maska?”, ka pyetur gjyqtari Christoph Barthe.
Zyrapi dha p ërgjigje për këtë.
“Ky ishte problem sepse nuk dihej se kush po i ndalte ata, kush janë ata që i kanë vendosur këto maska dhe po i bëjnë këto veprime, nuk ishin ushtarë të këtyre zonave, prandaj edhe komandantët janë ankuar dhe është marrë ky vendim”, ka thënë ai.
Gjyqtari Christoph Barthe e pyeti edhe për zëvendësimin e Ekrem Rexhës i njohur si “Drini” nga pozita e Komandantit të Zonës së Pashtrikut, me Tahir Sinanin. Zyrapi tha se ky vendim u mor nga Sylejman Selimi, pasi që ai u bë komandant i përgjithshëm.
Ai ka thënë se Sadik Halitjaha dhe Halil Qadraku e akuzonin komandant “Drinin”, por edhe vetë Zyrapin se ishin të rekrutuar nga FARK-u.
“Edhe sot qe 25 vjet vazhdojnë në media të hapura këta zotërinj thërrasin njëjtë, e konsiderojnë njëjtë si pjesë e FARK-ut. Kyçja ime dhe komandant Drinit ka qenë e kundërt me atë që ata e thonë. Gjithnjë lidhja jonë ka qenë me pjesëtarët e UÇK-së. Komandant Drini ka qenë një ndër të parët të njësive, ka qenë i kyçur në njësitin Çeliku në Bjeshkën e Kabashit në Prizren, qysh kur kam ardhur e kam gjetur në atë njësi. Si mund të jetë i FARK-ut i rekrutuar ose i ministrisë në ekzil”, ka thënë Zyrapi.
Zyrapi është shprehur se në palën shqiptare, gjatë luftës nuk ekzistonin dy formacione ushtarake, por vetëm UÇK-ja.
Ish-shefi i Shtabit dëshminë do ta vazhdojë edhe të mërkurën, 17 ditë nga 1 korriku kur u paraqit për herë të parë në seancë.
Kjo është dëshmia më e gjatë e dhënë në Speciale.