Dëshmitari Bislim Zyrapi, i cili ka mbajtur pozitën e shefit të shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të drejtorit të drejtorisë operative në kuadër të këtij shtabi, ka deklaruar në Gjykatën Speciale se gjatë luftës shtabi ka marrë njëfarë kërcënimi prej Ramush Harandinaj, atëkohë udhëheqës i zonës operative të Dukagjinit. Zyrapi e tha këtë në gjykimin më të madh të Speciales, tek iu përgjigj pyetjeve të avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson.
“Zotëri Haradinaj kërcënonte që do ta bllokonte këtë rrugë të logjistikës sepse ishte shumë i inatosur dhe kërkonte garanci që zotëri Krasniqi që ishte i njohur me z. Lahi Brahimaj dhe me Smajlin, kushëririn e zotëri Haradinaj, dhe pastaj gradualisht përmes këtyre garancive ai u qetësua diçka”, pyeti Emmerson.
E dëshmitari pohoi.
“Po, po e saktë është”, u shpreh Zyrapi.
Avokati Emmerson po ashtu e pyeti nëse ka qenë dëshmitar i një interviste të Jakup Krasniqit në Negroc.
“Pas takimit nëse ju ndihmoj që ta kujtoni, ju e kaluat natën në atë zonë me zotëri Veselin dhe pastaj u kthyet në Drenicë, në Negroc, në kohën kur ka ndodhur një intervistë për media e zotëri Krasniqi. Ju kujtohet, që keni qenë i pranishëm në incizimin me kamerë televizive të zotëri Krasniqi kur ai po e shpallte emërimin e tij në Negroc”, pyeti Emmerson.
Zyrapi e konfirmoi këtë.
“Po më kujtohet, në Negroc kam qenë”, u shpreh dëshmitari.
Avokati i Veselit sugjeroi se Haradinaj ishte i inatosur me marrjen e lajmit për daljen publike të Krasniqit si zëdhënës i UÇK-së.
“Tani ne e dimë që ky njoftim është bërë me datë 11 dhe incizimi me kamerë në Negroc më 13 qershor. Këto fakte të vërtetuara objektivisht, ndoshta mund t’iu ndihmojnë për ta bërë përcaktimin kohor. Më duket se ju e keni konfirmuar se z. Haradinaj ishte shumë i inatosur sepse sapo e kishte marrë lajmin”, shtoi Emmersoni.
E Zyrapi u pajtua me këtë.
“E saktë”, tha dëshmitari.
Më 11 qershor 1998, Jakup Krasniqi e bëri paraqitjen e parë publike si zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dëshmitari Zyrapi e konfirmoi se i kujtohet se bashkë me Kadri Veselin dhe Skender Sallaukën e kanë takuar Ramush Haradinajn.
“Zotëri Haradinaj po ankohej do të thosha lidhur me faktin se ky informacion sapo ishte bërë publik dhe atij nuk i ishte thënë paraprakisht madje as nuk ishte konsultuar, nuk e dinte madje as se kush ishte Jakup Krasniqi apo pse i kishin dhënë këtë autoritet pikë së pari. Kjo ju kujton diçka?”, pyeti Emmerson. Përgjigja e Zyrapit në këtë pyetje nuk u dëgjua.
E Emmerson vazhdoi ta pyeste lidhur me ato që tha se kanë qenë kërcënime të Ramush Haradinajt drejtuar Shtabit të Përgjithshëm.
“Dhe pati kërcënime sepse regjioni i Dukagjinit kishte rëndësi sa i takonte logjistikës, sepse ishte rruga përmes së cilës hynin kontrabandë armët përmes Shqipërisë, a është kështu?” pyeti Emmerson. E dëshmitari pohoi me kokë.
Në këtë rast po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
LEXO EDHE: