Fillimisht, avokati i Selimit, Geoffrey Roberts i tha dëshmitarit se ai për Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte folur për këto përgjegjësi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Përgjegjësitë e tij si Inspektor i Përgjithshëm ishte që të inspektonte njësitë, gatishmërinë e tyre dhe ç’nivele operative kishin arritur. Nëse kishte mungesë disipline, do të informonte komandantin dhe kishte shumë detyra të tjera të cila nuk po më kujtohen tani”, citoi Roberts të jetë përgjigjur Zyrapi.
“Po në pika të shkurta e kam spjegu se nuk mund ta shpjegoj çdo pikë aty”, tha Zyrapi.
Më pas, Roberts pyeti dëshmitarin se a është e vërtetë të thuhet se Inspektorati i Përgjithshëm i UÇK-së nuk kishte zyrë në Divjakë.
“Po e saktë është! Nuk ka pas zyre të veçantë se unë e kam shpjegu se cilat zyre kanë pas dhe ku kanë qenë se nuk kemi pas edhe qaq shumë objekte që mund t’i vendosim që çdo sektor ta ketë zyrën e veçantë ose në shtëpi të veçantë për të zhvilluar këtë sektor. Kështu që në shumë vende ka lëvizë sektori herë në Lladrovc, herë në Bjeshkë të Berishës në Fshatin e Ri. Varësisht ku kemi mujtë ta takojmë dhe ku e kam pa”, tha dëshmitari.
Gjithashtu, Zyrapi pohoi se është e saktë ajo që ka thënë për ZPS-në se njerëzit që e shoqëronin Selimin, nuk ishin gjithmonë të Policisë Ushtarake.
“Zotëri Raci ka qenë përcjellës. Prej fillimi kur e kam njoftë Selimiin, e kam njoftë bashkë me atë që e ka vozitë e që pranë tij ka qenë”, tha tutje Zyrapi duke mohuar se kryente detyra të inspektimit.
Edhe për Alush Agushin, dëshmitari pohoi se nuk ka pasur ndonjë rol në Inspektoratin e Përgjithshëm, por që nuk ishte pjesë as e Shtabit të Përgjithshëm. Por, sipas dëshmitarit ai mbante disa ushtarë pas vete, por që nuk është e thënë që i kishte drejtpërdrejt nën urdhra.
Dëshmitari gjithashtu u pyet nga avokati Roberts se a kishte Selimi ndonjë drejtori dhe personel që vepronin nën urdhrat e tij.
“Në atë kohë, jo. Nuk ka pas”, tha dëshmitari.
Më pas, atij iu prezantua një dokument në të cilin kishte thënë se njësia speciale nuk ka të drejtë të arrestojë. Si rrjedhojë, Roberts prezantoi deklaratën e dëshmitarit që e ka dhënë gjatë kësaj periudhe në sallën e gjyqit gjatë pyetjeve të ZPS-së, e që kishte thënë se kjo metodë ishte përdorur njëherë në Zonën Operative të Pashtrikut nga Inspektori i Përgjithshëm.
Për ZPS-në, dëshmitari tregoi se e ka pasur fjalën për Rexhep Selimin dhe që nuk kishte arrestuar, por është marrë masë disiplinore si pasojë e problemeve disiplinore të cilat kanë ndodhur, por që nuk do të duhej të veprohej kështu.
“Viti ’99 më kujtohet. Diku ka qenë marsi i vitit ’99”, tha dëshmitari se i kujtohet që ka ndodhur kjo ngjarje.
Dëshmitari Bislim Zyrapi, shpjegoi se Selimi nuk ka pasur njësi të veçantë, por ka pas mundësi që ta përdorë njësinë e Policisë Ushtarake.
“Është e vërtetë që zotëri Selimi nuk ka pas njësi të veçantë, e ka pas njësinë e Policisë Ushtarake që ka mujtë me e përdorë, po edhe kur të përdoret duhet me e ditë komandanti. Nëse komandanti e ka leju që të përdoret kjo njësi është diçka tjetër. Unë e kam shpjegu vetëm në aspekte ushtarake që kjo njësi nuk mund të përdoret për këto nevoja dhe ajo është për nevojat e intervenimit në momentet e duhura dhe për zbulime-vëzhgime, por jo për arrestime. Meqenëse unë e kam shpjegu që zotëri Selimi nuk ka ba arrestime me këtë njësi në atë vend, por është përdorur se ajo njësi duhet të jetë gjithnjë e gatshme për veprim. Në këtë kontest është thënë”, tha Zyrapi.
Ai tha se Inspektori i Përgjithshëm nuk i është drejtuar vetëm komandantëve të zonave për ta përdorë Policinë Ushtarake, por edhe komandantit të përgjithshëm.
“Inspektori i Përgjithshëm nuk i drejtohet veç komandantit të zonës se ka mujtë t’i drejtohet veç komandantit të përgjithshëm që t’’i kërkoj Policinë Ushtarake pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe që ka mujtë ta merr ose në mungesë të tyre mund ta marrë edhe nga zonat, e që komandantit të zonave t’i kërkohet që të përdoren këto njësi. Kurse, njësitë diversante që kanë qenë në atë kohë përdoren në momentin kur në qoftë se grupet janë të armatosur dhe kundërvihen me armë, atëherë përdoren këto njësi për t’i eliminuar ato ose për t’i çarmatosur”, tha Zyrapi.
Ai shtoi se Selimi nuk e ka pasur rolin që të marrë masa disiplinore, por që të kontrollojë disiplinën. Sipas tij, të marrin masa disiplinore ka qenë autoritet i komandantëve të zonave, brigadave dhe të atij të përgjithshëm.
Gjithashtu, dëshmuari u pyet nëse kishte parë ndonjë raport të shkruar të shkëmbyer në mes Selimit dhe komandantit të përgjithshëm, por që përgjigja e tij nuk u dëgjua. Më pas, seanca kaloi në sesion privat me kërkesën e avokatit Roberts për t’i bërë disa pyetje.
Pasi u hap seanca, sërish u diskutua lidhur me çështjen e inspektorit të përgjithshëm e që para se të kalohet në pushim me kërkesën e Roberts u pranuan disa dokumente në prova materiale.
Zyrapi: Inspektori i Përgjithshëm nuk ka ekzistuar në ‘98-ën derisa është ristrukturuar UÇK-ja
Dëshmitari Bislim Zyrapi tha se funksioni i Inspektorit të Përgjithshëm nuk ka ekzistuar gjatë vitit 1998 deri në momentin kur është ristrukturuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës në nëntor të po të njëjtit vit.
Fillimisht, avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts pyeti dëshmitarin se a është e vërtetë që as në armatën Jugosllave dhe as atë Boshnjake nuk ka ekzistuar roli i Inspektorit të Përgjithshëm përpara ‘98-ës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Është e saktë që nuk ka ekzistu. Faktikisht në ish-armatën Jugosllave ka ekzistu sektori, aty i kanë thanë Inspektori Gjeneral i Sekretariatit të Mbrojtjes që është faktikisht i njëjti veprim i detyrës. Në armatën Boshnjake nuk ka ekzistu. Tek ne, në kohën e ‘98-ës nuk ka ekzistu përpara se të ristrukturohet Shtabi i Përgjithshëm dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Me strukturimin e saj është vendosur të ketë edhe inspektorin e përgjithshëm si në çdo ushtri që kontrollon dhe inspekton ushtrinë”, tha dëshmitari.
Sipas Roberts, për ZPS-në dëshmitari kishte thënë se nuk kishte rol të Inspektorit të Përgjithshëm në UÇK përpara se të merrej ky rol nga Selimi.
“Po e saktë është”, u përgjigj dëshmitari.
Zyrapi gjithashtu tregoi se çfarë merrej Selimi gjatë ‘98-ës përpara se ky të largohej në Shqipëri.
“Kur e kam marrë detyrën nga zotëri Bashota, këtë rolin e inspektorit nuk e di se nuk ka pas strukturë atëherë, nuk e kam njoftë strukturën çka ka qenë më herët dhe s’di cilën detyrë e ka marrë pastaj, por e di që prej korrikut në këtë kohë ka qenë së bashku me mua që më ka ndihmuar për t’u njoftuar me njësitë lokale dhe normalisht gjatë veprimit me operacionet se nuk ka pas mundësi tjetër veprim të bëhet se veç sulmet kanë fillu nga mesi i korrikut dhe deri kur kam dalë unë kemi pas sulme tanë kohën dhe çdo herë jemi kanë në vijat e frontit. Kështu që nuk kemi ushtru ndonjë detyrë tjetër të veçantë përveç ndihmës si çështje operative në zonat që kemi ofru dhe shtabe”, tha Zyrapi.
Dëshmitari Zyrapi mohoi të ketë parë ndonjë vendim zyratr në atë kohë që Selimi ishte emëruar Inspektor i Përgjithshëm.
“Jo, në atë kohë nuk e kam pa. Si Inspektor të Përgjithshëm e di që kur kemi fillu ristrukturimin e Shtabit të Përgjithshëm atëherë është shpalos që ka si Inspektor të Përgjithshëm dhe është vendos Selimi”, tha ai.
Nga mesi i shtatorit dhe në tetor të atij viti, dëshmitari pohoi se ka qenë në Shqipëri dhe ndonëse ka pasur luftime nuk e di se çfarë ka bërë Selimi gjatë kësaj kohe.
“Sa ka qenë me mu, tanë kohën ka qenë në front edhe çdo herë ka qenë tek vija e frontit ku ka pas nevojë të ndihmohet normalisht”, tha Zyrapi tutje.
Përpara temës së Inspektorit të Përgjithshëm, Roberts i tha dëshmitarit se për ZPS-në kishte thënë se rrëmbimi i civilëve ishte njohuri e përgjithshme në zonë dhe si rrjedhojë e pyeti dëshmitarin se a e kishte fjalën vetëm për territorin e Rahovecit.
“Po normalisht e kam thanë. Ishte konkret për atë kohë dhe atë moment dhe jo për territorin e Kosovës në tërësi”, tha Zyrapi.
Dëshmitari pohoi se ka thënë për ZPS-në që nuk ka pas dijeni në qoftë se kishte përpjekje nga Shtabi i Përgjithshëm për të vendosur në qoftë se ishin marrë të burgosurit dhe se çfarë iu kishte ndodhur atyre.
Zyrapi ishte pyetur se në qoftë se Shtabi i Përgjithshëm merrte raport se ishin kapur civilë dhe nuk kishin informata lidhur me këta persona, çfarë përgjegjësie do të kishte në këtë pikë Shtabi i Përgjithshëm.
“Përgjegjësia i takonte personit konkret që e kishte bërë këtë akt dhe në qoftë se Shtabi i Përgjithshëm informohej dhe nuk kishte të bënte asgjë lidhur me këtë, ata do të duhej të jepnin një shpjegim se pse kishte ndodhur kjo”, lexoi përgjigjen e dëshmitarit, avokati Roberts.
Dëshmitari pohoi se e ka thënë një gjë të tillë duke shtuar se ishte përgjegjësi e komandantëve të zonës nëse merreshin civilë ose jo.
“Po, në atë kohë qashtu”, tha Zyrapi.
Gjithashtu Roberts pyeti dëshmitarin nëse iu ishte dhënë ndonjë raport atij për mbajtjen e të burgosurve në atë kohë.
“Po, as mu dhe nuk e di që iu është dhënë ndokujt prej anëtarëve të Shtabit të Drejtorisë Operative”, tha Zyrapi.
Lidhur me këtë çështje, dëshmitari tha se nuk e ka pasur mundësinë Shtabi i Përgjithshëm që të bëjë hetime në atë kohë pasi që me atë duhej të merrej sektori juridik e që gjatë kësaj periudhe ende nuk ishte formuar.
“As struktura e Shtabit nuk ka qenë si duhet e lëje më struktura e hetimit në atë kohë”, tha Zyrapi.
Dëshmitari Zyrapi thotë se ngjarja në Rahovec s’kishte të bënte me Shtabin e Përgjithshëm
Dëshmitari i 75-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Bislim Zyrapi, edhe të mërkurën po vazhdon dëshminë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Derisa po fliste për ngjarjen në Rahovec, në të cilën kishte luftime dhe pretendohet se disa civilë serbë ishin rrëmbyer, Zyrapi tha se ajo nuk kishte të bënte me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dëshmitari po merret në pyetje nga avokati i Selimit, Geoffrey Roberts, i cili u fokusua tek ngjarja në Rahovec për çka Zyrapi tha se kur kishte shkuar aty ngjarja tashmë kishte përfunduar, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Po ashtu, tha se as ai dhe as Selimi nuk ishin në dijeni për këtë plan përpara se të fillonin luftimin në Rahovec.
Më pas, Roberts pyeti dëshmitarin se a është e drejtë të thuhet se diskutimi që ka mundur të zhvillohet lidhur me mundësinë teorike të zhvillimit të operacioneve, ishte shumë larg të zhvillimit faktik të një operacioni asaj kohe. Për çka, dëshmitari u përgjigj ‘po e saktë’.
I pyetur nëse anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm ose të Drejtorisë Operative ishin të mendimit që kjo nuk ishte diçka që UÇK-ja mund ta bënte asaj kohe.
“Po, kam folur në bisedën që kemi bë në Drejtorinë Operative në atë kohë, ishin në të njëjtin mendim se njësitë nuk janë hala të gatshme në operativë për këto veprime dhe duhet të punohet në këtë drejtim”, tha Zyrapi.
“(Ishte mendimi) i zotëri Selimit, i Bashotës, i imi, Agimit (Qelajt), që ishim në këtë drejtori e që punojshim bashkë”, tha ai.
Roberts vazhdoi duke i thënë dëshmitarit se për ZPS-në ai kishte thënë se kur ka shkuar në Rahovec iu kanë thënë se luftimet nuk filluan nga Shtabi i Përgjithshëm, por vetë nga shtabet lokale.
Po ashtu, dëshmitari kishte deklaruar se pasi kishte shkuar në Rahovec, dikush i kishte thënë atij se aksionet fillestare ishin marrë nga Shtabi lokal i Rahovecit dhe zëvendëskomandanti i këtij shtabi quhej ‘Viktori’, por që emrin e vërtetë e kishte Gëzim Muabazi.
Roberts vazhdoi duke cituar se çfarë kishte thënë dëshmitari për ZPS-së, e që si rrjedhojë shpjegonte se ai kishte treguar se ‘Viktori’ së bashku me një grup ushtarësh ishin futur në Rahovec për të vizituar familjen, por që ishin zbuluar nga forcat serbe të cilat ishin në qytet e që i kanë rrethuar.
Pastaj, ai shpjegoi se sipas dëshmitarit atij iu është thënë se pjesëmarrës në luftime ishin edhe Shtabet tjera lokale të Rahovecit, e që këto luftime më pas janë zgjeruar, duke u kërkuar ndihmë edhe nga njësitë e tjera.
Për këto fjalë që i ishin thënë atij lidhur me këtë ngjarje, dëshmitari Zyrapi tha se nuk ka mundur të dyshojë në vërtetësinë e tyre.
“Nuk kam mujtë të dyshoj. Unë e kam pyet komandën edhe masanej të Shtabit lokal që kanë qenë bashkë me ato dhe pastaj këtë e kam vërtetu nga bisedat e këtyre kolegëve të tjerë të këtij shtabi dhe kështu që nuk dyshoj”, tha Zyrapi, duke shtuar se kështu ia kishin shpjeguar anëtarët e Shtabit lokal të Rahovecit se si kishin filluar luftimet atje.
Zyrapi shtoi edhe se pas luftës kur ka biseduar me disa anëtarë të komandës së atij Shtabi, të njëjtat fjalë ia kanë thënë çdo herë.
Pos kësaj, ai shtoi se kishte forca të mëdha serbe gjatë kësaj kohe duke përfshirë këmbësorinë dhe atelierinë, e që u detyruan shumë shqiptarë të largoheshin nga Rahoveci.
“Përafërsisht, ajo vetëm brenda përbrenda para se të fillojë kjo i ka pas diku afër 1 mijë trupa brenda Rahovecit në tërësi si komunë dhe kanë ardhur nga drejtimet tjera njësitë. Nga drejtimi i Gjakovës dhe nga i Prizrenit diku llogaritet që kanë ardhur edhe 1 mijë tjera. Në përgjithësi diku 2 mijë trupa përafërsisht kanë qenë në drejtim sulmi me armët e tyre dhe me përcjelljen e artelirisë së rëndë ose armëve të rënda që i kanë përdorë në atë kohë”, tha tutje Zyrapi.
Zyrapi tha se qëndron fakti se e kishte parë Rexhep Selimin dhe Sokol Bashotën që ishin duke ndihmuar në ngritjen e vijave të mbrojtjes. Ai tha se është e saktë të thuhet se ishte Selimi që e informoi se çfarë po përpiqeshin të bënin.
“Disa ditë kemi qenë aty deri sa e kemi forcu vijën e mbrojtjes. Faktikisht i kemi pas katër a pesë sulme të forcave serbe që kanë tentu të depërtojnë këtë vijë të frontit. Muj me të thanë që katër ditë apo pesë të mira kemi qenë, mos edhe më tepër”, tha Zyrapi tutje.
Sipas avokatit Roberts, dëshmitari i kishte thënë ZPS-së që nuk e dinte që ishin kapur civilë serbë gjatë kësaj kohe sepse kishte qenë në vijën e frontit dhe nuk ka pasur kohë që të shikojë për këto gjera për shkak se i është dashur që të shkojë edhe në vijat e tjera të frontit.
“Po është shumë e saktë”, u përgjigj dëshmitari, duke theksuar se nuk kanë pasur asnjë lloj informacioni të tillë.
Roberts gjithashtu njoftoi se pyetjet e tij pritet të përfundojnë përpara pushimit të drekës.
Në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III dha një urdhër me gojë lidhur me një listë të provave materiale, për të cilën ZPS-ja kishte kërkuar të ndryshohet, ndërsa mbrojtja e Thaçit përjashtimin e tyre.
“Trupi gjykues rikujton se më 24 maj 2024 i kemi informuar palët dhe pjesëmarrësit që do të lëshonte një vendim procedural mbi kërkesën e ZPS-së për të ndryshuar listën e provave materiale dhe mbi kërkesën e mbrojtjes së Thaçit për përjashtimin e materialeve. Pasi Paneli i Gjykatës së Apelit të kishte nxjerrë vendimin e vet mbi çështjet që rridhnin nga vendimi i gjykatësit të vetëm që autorizonte masat hetimore. Trupi gjykues ka vërejtur se Paneli i Gjykatës së Apelit e ka nxjerrë vendimin e vet më 4 korrik 2024. Trupi gjykues rikujton se mbrojtja e Selimit, mbrojtja e Veselit, mbrojtja e Krasniqit kanë kërkuar një përcaktim të seancave informuese për ta përbërë parashtrimin sipas rregullës 138 lidhur me materialin në fjalë dhe me kërkesën e ZPS-së dhe atë të mbrojtjes së Thaçit”, tha Smith III.
Lidhur me këtë, Charles Smith III përcaktoi afatet kohore se kur mbrojtja duhet t’i bëjë parashtrimet e veta si dhe kur ZPS-ja duhet të bëjë përgjigjet e saj në këto parashtrime.
“Nëse mbrojtja dëshiron që të parashtrojë parashtrimet e veta lidhur me këtë vendim të Panelit të Gjykatës së Apelit, mbrojtja urdhërohet që ta bëjë këtë jo më vonë se 16 korriku 2024; çdo përgjigje ndaj këtyre parashtrime duhet të bëhet jo më vonë se 22 korriku 2024. Kundërpërgjigjet tjera nuk do të pranohen. Këtu mbyll urdhrin me gojë”, tha Smith III.
Avokati i Thaçit, Mishetiq kërkoi sqarim nëse do të përfshihet edhe mbrojtja e Thaçit në këtë, mirëpo gjykatësi foli pa mikrofon dhe nuk u dëgjua.
Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi