Tek u është përgjigjur pyetjeve të avokatit, Goeffrey Roberts, Zyrapi ka deklaruar se i akuzuari Rexhep Selimi nuk ka qenë i emëruar në pozitën e inspektorit të përgjithshëm deri në nëntor të vitit 1998. Ndryshe prej pretendimeve të ZPS-së, ai ka deklaruar se Selimi nuk është prezantuar si inspektor i përgjithshëm para ristrukturimit të UÇK-së
Bislim Zyrapi, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare, ka folur mbi përgjegjësitë që ka pasur Rexhep Selimi në kuadër të UÇK-së, në kohën kur ai u pati emëruar inspektor i përgjithshëm.
Ai lidhur me këtë çështje ka folur tek e ka vazhduar për të dytën javë të mërkurën dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në kuadër të rastit të ish-udhëheqësve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.
Tek u është përgjigjur pyetjeve të avokatit të Selimit, Goeffrey Roberts, Zyrapi ka deklaruar se i akuzuari Selimi nuk ka qenë i emëruar në pozitën e inspektorit të përgjithshëm deri në nëntor të vitit 1998. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka pretenduar në aktakuzë se që nga gushti i ’98-s Selimi ka qenë inspektor i përgjithshëm i UÇK-së dhe se për këtë arsye ka qenë në dijeni dhe është dashur që të jetë në dijeni për krimet e kryera prej pjesëtarëve të komandave lokale.
“Është e qartë se nuk ka pasur rol të inspektorit të përgjithshëm para se atë ta merrte Rexhep Selimi, a është e vërtetë kjo dëshmitar?”, e ka pyetur avokati Roberts. E Zyrapi i është përgjigjur me pohim.
“Po, e saktë... Këtë rolin e inspektorit nuk e di se nuk ka pasur strukturë atëherë... edhe nuk e kam njohur atë strukturë që ka qenë atëherë dhe nuk e di se cilën detyrë e ka marrë pastaj, por e di që prej korrikut në këtë kohë ka qenë bashkë me mua. Më ka ndihmuar për t’u njohur me njësitë lokale dhe, normalisht, edhe gjatë veprimit dhe operacioneve, sepse nuk ka pasur mundësi tjetër veprimi të bëhet, sepse veçse sulmet kanë filluar nga mesi i korrikut e deri kur kam dalë unë, kemi pasur sulme tërë kohën dhe çdo herë kemi qenë në vijat e frontit, kështu që nuk kemi zhvilluar diçka tjetër përveç ndihmës së çështjeve operative në zona e shtabe”, ka theksuar Zyrapi që dëshminë para Speciales në Hagë e ka nisur më 1 korrik.
Ai ka thënë, po ashtu, se që prej verës së ‘98-s e deri në shtator të po atij viti, shpeshherë ka qenë me Selimin dhe se që të dy i kanë ndihmuar pjesëtarët e UÇK-së që të organizoheshin për t’iu bërë ballë ofensivave të forcave serbe.
Ndryshe prej pretendimeve të ZPS-së, Zyrapi ka deklaruar të mërkurën se Selimi nuk është prezantuar si inspektor i përgjithshëm para ristrukturimit të UÇK-së.
“Pse thoni ju që anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm nuk kanë mundur të bëjnë hetime atë kohë. Po flasim këtu për korrikun dhe gushtin e 1998-s? Pse e thoni këtë gjë dëshmitar?”, e ka pyetur atë avokati Roberts.
“Po e them sepse edhe gjatë shpjegimit se si ka qenë e zhvilluar atë kohë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Shtabi i Përgjithshëm nuk ka pasur mundësi, as resurse, as sektorë të cilët kanë mundur të merren me këto çështje. Për këto çështje është dashur të ketë sektor juridik, që në atë kohë fare nuk ka ekzistuar që të hulumtohen ose të hetohen këto raste, kështu që e pamundur ka qenë të punohet në këtë drejtim me hetime nga Shtabi i Përgjithshëm, jo vetëm Shtabi i Përgjithshëm, por edhe te zonat nuk ka pasur të zhvilluar sektorë të këtillë”, i është përgjigjur dëshmitari.
Në këtë, avokati Roberts ka kërkuar sqarim shtesë.
“Pra, ata nuk i kanë pasur as strukturat për të bërë hetime, apo jo dëshmitar?”, ka pyetur ai.
“Struktura. Po struktura e Shtabit nuk ka qenë si duhet, e lërë më struktura që të thuash (për kryerje) të hetimeve në atë kohë”, i është përgjigjur Zyrapi.
Dëshmitari ka konfirmuar në një deklaratë paraprake, të dhënë në Prokurori, e në të cilën pati thënë se nuk është i vërtetë një artikull i gazetares me titullin: “U arrestuan nga Policia Ushtarake dy funksionarë të LDK-së”. Lidhur me këtë shkrim, ai ka thënë se më 5 nëntor të 1998-s, kur edhe është publikuar artikulli, nuk ekzistonte fare Policia Ushtarake.
E në vazhdim të seancës të së mërkurës, Zyrapi u është përgjigjur edhe pyetjeve të mbrojtës së Jakup Krasniqit. Ai ka deklaruar se komandantët e zonave nuk i kanë raportuar Krasniqit në kohën kur ai ka qenë vetëm zëdhënës i UÇK-së.
Prijësit e zonave, siç ka deklaruar dëshmitari, i kanë raportuar Krasniqit në kohën sa ai ka qenë zëvendëskomandant i Shtabit të Përgjithshëm. Zyrapi ka shtuar se propaganda është mjet i rëndësishëm lufte për cilindo formacion luftarak dhe ka qenë me rëndësi edhe për Ushtrinë Çlirimtare.