(E përditësuar në 16:08) - Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bislim Zyrapi, ka thënë se deri në mars të vitit 1999, Zyrapi ka thënë që UÇK-ja kishte rreth 18 mijë anëtarë.
“Në këtë shifër përfshihen të gjitha, edhe njësitë e UÇK-së, policia ushtarake, mbrojtja civile. Ka pasur edhe mbrojtje civile të cilët kanë qenë për mbrojtjen e fshatrave dhe rrugëve. Brenda kanë qenë 12 mijë ndërsa 6 mijë të tjerë kanë marrë pjesë në operacionin ‘Shigjeta’ që janë mobilizuar më vonë për këtë operacion”, ka theksuar Zyrapi gjatë dëshmisë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Zyrapi tregon dallimin mes Armatës Boshnjake dhe UÇK-së
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bislim Zyrapi është pyetur në Gjykatën Speciale për dallimet e UÇK-së nga Armata Boshnjake.
Zyrapi është duke dëshmuar qe disa ditë në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai ka thënë se dallimi ka qenë që në Bosnje ka pasur sistem të organizimit shtetëror. Vetë Zyrapi ka shërbyer edhe në Bosnje e Hercegovinë.
“Dallimi mes Armatës Boshnjake dhe UÇK-së është ky: Armata Boshnjake ka pasur sistemin komplet të jetës dhe organizimit, si të shtetit prej presidencës, qeverisë, ministrave, të gjitha dhe të gjithë ata eprorë që kanë qenë në dispozicion i ka sistemuar në Ushtrinë Boshnjake. Kurse te ne, e kemi formuar një ushtri që ka dalë nga vullneti i popullit dhe e cila nuk ka pasur këto struktura si qeverinë apo presidencën... Edhe eprorët që kanë ardhur, pas kërkesës sonë, janë ndaluar nga Qeveria e Përkohshme në Shqipëri dhe normalisht nuk kemi mund t’i kemi në dispozion këta eprorë, deri e kemi bërë atë marrëveshjen, që të hyjnë një pjesë e eprorëve”, ka thënë Zyrapi.
Zyrapi po ashtu ka thënë se “UÇK-ja ka lindë nga partia politike LPK (Lëvizja Popullore e Kosovës) dhe ajo e ka përcaktuar Shtabin Qendror”.
Në dëshminë e së mërkurës, Zyrapi ka thënë se i cilëson shumicën e librave për UÇK-si “të ekzagjeruar”. “Nuk e kam lexuar as librin e Jakup Krasniqit”, ka thënë ai.
Ish-shefi i Shtabit ka nisur dëshminë më 1 korrik. Kjo është dëshmia më e gjatë e dhënë në Speciale. Ai po dëshmon në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, që po akuzohen për krime lufte.