Arbëri

Zyra e Kryeprokurorit ankohet për mosaprovim të kërkesave buxhetore

Besim Kelmendi

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka thënë se mosaprovimi i kërkesave buxhetore do të çojë në pamundësinë për të mbajtur seancat gjyqësore brenda afateve ligjore.

Kelmendi ka përmendur sfidat e sistemit prokurorial, në veçanti ato që kanë të bëjnë me “ndarjen e buxhetit nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ për të pasur një sistemin prokurorial funksional dhe efikas”, me ç’rast ka theksuar se si “pasojë e mosaprovimit të kërkesave buxhetore për të shtuar numrin e prokurorëve dhe stafit mbështetës do të vije deri të pamundësia e mbajtjes së seancave gjyqësore brenda afateve ligjore, për shkak të numrit disproporcional të prokurorëve dhe gjyqtarëve”.

Në Konferencën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës “Ditët e Gjyqësorit”, ai ka theksuar rëndësinë e koordinimit mes sistemit gjyqësor dhe prokurorial për të garantuar drejtësi efikase dhe të besueshme, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeprokurorit.