Përveç hetimit të Odës së Avokatëve, për zvarritjen e procesit gjyqësor ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, sipas shoqërisë civile, hetim duhet të ketë edhe për gjyqësorin e prokurorinë.
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se rasti i gjykimit ndaj Gogajt ka shpërfaqur komunikimin joprofesional ndërmjet gjyqësorit, prokurorisë e avokatëve.
“Ky rast në praktikën gjyqësore të Republikës së Kosovës është si rasti më i keq i mundshëm se si kemi tri palë në këtë rast, kemi të pandehurin, avokatët mbrojtës, kemi prokurorin, por edhe gjyqtarin e trupin gjykues, i cili do të duhej të administronte këtë rast, nuk kanë komunikimin profesional ashtu siç e përcakton ligji, në një seancë e një rast kthehet në një arenë lufte për të gjitha palët”, tha Miftaraj.
Procesi gjyqësor ndaj Shaban Gogajt iu kthye normalitetit pas më shumë se një viti zvarritjeje, për shkak të pasojave nga përjashtimi i avokatit Besnik Berisha.
Prokuroria Themelore në Prishtinë tashmë ka nisur hetimet ndaj Këshillit Drejtues, të OAK-së, që kanë votuar pro vendimit që u ndalon avokatëve ta përfaqësojnë Gogajn.
Ky vendim ishte tërhequr disa muaj pas reagimeve të Këshillit Gjyqësor e të Qeverisë.
Të martën të gjitha palët pritet që të paraqesin fjalët përfundimtare, e më pas trupi gjykues pritet të vendosë për aktgjykimin.
Por Miftaraj shton se si shkak i problemeve të shumta që janë shfaqur viteve të fundit, për procesin gjyqësor për vrasjen e ndodhur gjatë 2018-s, do të bëjë që verdikti final të mos jetë shumë i paanshëm.
“Ka pasur probleme, ka pasur rrugës veprime e vendime të cilat kanë ardhur deri te ajo, ku ky proces gjyqësor është tejzgjatur dhe si të themi është zhvilluar një luftë e paparë në gjykatore, përmes të gjithë akterëve të cilët, qoftë e përfaqësojnë akuzën, qoftë e mbrojnë të akuzuarin apo gjyqtarë, do të jetë në fund shumë e ndjeshme dhe problematike që publiku të ketë besim në verdiktin final, çfarëdo qoftë ai”, tha Miftaraj.
Stërzgjatja e këtij procesi gjyqësor ishte e vështirë edhe për familjen e të ndjerit Agonis Tetaj.
Avokati i familjes, Berat Tmava, ka thënë se presin që kjo çështje të përfundojë sa më parë, derisa ka deklaruar se familja Tetaj është duke kërkuar drejtësi e jo lëmoshë.
“Normal që ka qenë shumë e vështirë për familjen e Agonisit pritja kaq e gjatë e këtij rasti dhe zvarritja e procesit pa asnjë arsye. Edhe presim që kjo çështje të përfundojë sa më parë dhe të merret një vendim për të akuzuarin sipas ligjit, në bazë të provave që gjenden në shkresat e lëndës. Familja Tetaj nuk kërkon lëmoshë, por kërkon vetëm drejtësi për Agonisin”, that Tmava.
Agonis Tetaj u vra në vendin e tij të punës, në shtator të 2018-s.