Nuk është finalizuar në kohën e paraparë me kontratë ura mbi Liqenin e Badovcit, në rrugën nacionale Prishtinë-Gjilan. Punimet në të janë ndalur prej kohësh. Në Ministrinë e Infrastrukturës kanë bërë të ditur se tani projekti është duke u modifikuar. E ngasësit janë ankuar se rruga alternative e ngritur shkaku i punimeve në urë, është duke u shkaktuar edhe defekte në automjete të rënda
Mehmet Alidaka përditë kalon nëpër rrugën nacionale Prishtinë-Gjilan dhe thotë se devijimi i detyrueshëm i saj tek ura qendrore në afërsi të Liqenit të Badovcit i ka shkaktuar vështirësi.
Punimet në urë janë ndërprerë prej kohësh. E për pasojë, automjetet duhet të kalojnë nëpër rrugën alternative, për të cilën Alidaka ka thënë se është duke u shkaktuar probleme ngasësve të automjeteve të rënda transportuese.
“E kemi problem se nuk është kjo rrugë për kamionë që e kanë rregulluar. Është thyer menjëherë, se defekti po bëhet 5000 euro te kamioni, nuk bëhet 50”, është ankuar ai.
Edhe ngasës të tjerë kanë bërë thirrje që ura të rregullohet më shpejt.
“Shumë problem se e kanë bërë vetëm për vetura mu kthy këtu. Qe sa kohë ia ka nisë ura, e hala ende asgjë nuk kanë ndërmarrë, këto punime duhet me përfunduar sa ma shpejt”, ka thënë një tjetër ngasës i automjetit të rëndë, i cili nuk ka dashur që të identifikohet.
E, njohësi i çështjeve të komunikacionit, Bekim Ahmeti, ka thënë se me mungesën e sinjalistikës rritet edhe numri i aksidenteve.
“Kjo urë duhet që sa më shpejt të përfundohet, ka një numër të aksidenteve që bëhen në atë pjesë”, është shprehur ai.
Por, në Ministrinë e Infrastrukturës, e cila e ka kontraktuar kompaninë për ndërtimin e urës, nuk kanë dhënë shpresë se projekti mund të përmbyllet shpejt.
“Në këtë projekt nuk ka aktivitete të punimeve për shkak të nivelit të lartë të ujit në Liqenit të Badovcit, që pamundëson fillimin e pozicioneve të punimit të pilotave të themeleve. Aktualisht nuk mund të vendosen shtyllat e urës, andaj jemi duke e modifikuar projektin në mënyrë që të bëhet me mbështetje anësore”, është në përgjigjen e kësaj Ministrie për KOHËN.
Vlera e kontratës për urën, e cila është lidhur në fillim të vitit me kompaninë “Dreni Inginiering”, është 468 mijë euro. Në dokument është përcaktuar që punimet të përfundojnë brenda 125 ditësh, afat ky që është tejkaluar prej kohësh.
Ura e re pritet që të jetë 38 metra e gjatë dhe 7 metra e gjysmë e gjerë.