Arbëri

ZPS-ja përfundoi paraqitjen e provave ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Hashim Thaci

Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se ka përfunduar paraqitja e provave në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Dhomat e Specializuara njoftuan të mërkurën se prej 3 prillit të 2023-s kur ka nisur gjyqi, ZPS-ja i ka thirrur për të dhënë dëshmi 125 dëshmitarë, derisa janë paraqitur 3.000 prova materiale.

ZPS-ja ka bërë 1.430 parashtresa lidhur me këtë çështje gjyqësore

“Dhe ZPS-ja ka bërë deri më sot 1 430 parashtresa lidhur me këtë çështje gjyqësore. Zotërinjtë Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave”, thuhet në njoftimin e ZPS-së.

Në njoftim u përmend edhe aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, ku u tha se sipas aktakuzës, kanë kryer krime kundër qindra civilëve dhe individëve që nuk ishin pjesëmarrës në luftime në një periudhë “prej të paktën marsit të 1998 deri në shtator të vitit 1999”.

“Në këtë gjyq janë pjesëmarrës më shumë se 150 viktima dhe ata përfaqësohen nga Avokati i Viktimave. Prokurorja e Specializuar Kimberli Uest (Kimberly West) ngriti lart kurajën e viktimave dhe dëshmitarëve që dhanë dëshmi në këtë gjyq gjatë dy viteve të shkuara”, thuhet në njoftim.

Prokurorja West ka thënë se për Kosovën është thelbësore që sundimi i ligjit dhe procesi gjyqësor në sallën e gjyqit të respektohen “me qëllim që të ruhet integriteti dhe paanësia e procedurave dhe të gjendet e vërteta”.

E mbrojtja e të akuzuarve ka paralajmëruar se do të dorëzojë mocione për rrëzimin e akuzave.

“Më 16 prill 2025, të gjitha ekipet e Mbrojtjes e informuan Trupin Gjykues për synimin e tyre për të dorëzuar mocione për rrëzimin e disa, apo të gjitha akuzave në aktakuzë, në përputhje me Rregullën 130 të Rregullores. Përveç kësaj, ekipet e Mbrojtjes kanë bërë të ditur se do ta informojnë Trupin Gjykues nëse synojnë të paraqesin çështjet e tyre pas vendimit lidhur me mocionet sipas Rregullës 130”, thuhet nga Specialja.