Arbëri

Zoran Gjokiqi dënohet me 12 vjet burgim për vrasjen e shqiptarëve në Pejë

Ish-pjesëtari i grupeve kriminale serbe, Zoran Gjokiq, i akuzuar për krime lufte të kryera gjatë marsit të vitit 1999 në lagjen Kristal të Pejës, është dënuar sot me 12 vjet burgim.

Gjokiqi është arrestuar në vitin 2019 dhe akuzohet nga Prokuroria Speciale se në muajt mars e prill të vitit 1999, në Pejë, si pjesëtar i grupeve kriminale, ushtarake dhe paramilitare serbe, së bashku me të tjerë kishin hyrë dhunshëm në shtëpitë e shqiptarëve dhe pasi i kishin maltretuar, plaçkitur e detyruar banorët që të dilnin nga shtëpitë e tyre, i kishin vrarë.

Sipas aktakuzës, Gjokiqi ka ndaluar Skender Zeqirajn, Shaban Kaliqanin dhe Bashkim Berishën, të cilët më pas i ndau dhe me kallashnikov i ka ekzekutuar Zeqirin dhe Berishën, derisa Shaban Kaliqani kishte shpëtuar.

I vrarë kishte mbetur edhe Riza Mamaj, i cili në momentin e vrasjes po e barte me karrocë një kurban. Ai ishte qëlluar me disa plumba në gjoks.

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti ka folur gjatë për faktet, dëshmitë dhe provat e ofruara në këtë gjykim derisa ka thënë se mbrojtja e të akuzuarit nuk ka arritur të vërtetojë alibinë e Gjokiqit për të cilën ai akuzohet.