Arbëri

Zona e rrezikshme në oborrin e QKUK-së, edhe një 16-vjeçe sulmohet nga qentë

Qeni endacak

Një e mitur është sulmuar të mërkurën pasdite nga qentë endacakë në hapësirën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, saktësisht në zonën nga Klinika e Neurologjisë për te parkingu kryesor i QKUK-së – aty ku zyrtarë nga QKUK-ja kanë thënë se po ndodhin vazhdimisht sulme të tilla.

Vajza, 16 vjeçe, ka pësuar lëndime të shumta nëpër këmbë, edhe pse shumë shpejt në ndihmë i kishin ardhur njerëz që qëlluan afër.

“Rasti ka ndodhur në drejtim nga Klinika e Neurologjisë për në parkingun kryesor të QKUK-së, aty ku po ndodhin më së shumti këto raste. Vajza ka filluar të bërtasë dhe njerëzit kanë qëlluar afër e kanë ndërhyrë. Në minutë ka qenë, por aq dëm që kanë bërë...”, ka treguar një dëshmitare për Kohën. 

Për sulme të qenve rreth hapësirës së QKUK është raportuar disa herë. Të premten e kaluar, u sulmua edhe drejtori i Klinikës së Neurologjisë, Edmond Komoni. 

Brenda të njëjtës ditë kur u sulmua drejtori i klinikës janë sulmuar edhe dy persona të tjerë, kanë thënë nga stafi, duke treguar se këta qen janë të stacionuar aty prej një kohe dhe “askush nuk po nuk bën asgjë për t’i hequr”.

“Para një muaji babanë e një vajze, paciente, në të njëjtin parking e kanë sulmuar dhe ka përfunduar shumë keq”, ka treguar një anëtar i stafit të QKUK-së, duke shtuar se lëndimet e tij kanë kërkuar edhe trajtim kirurgjik.

Tani, stafi ka frikë edhe për mirëqenien e vet.

“Për ne është shqetësuese si mjekë që të dalim nga klinika në klinikë, sepse nuk po guxojmë të dalim prej qenve”, ka theksuar ai.

SHSKUK-ja i ka drejtuar disa herë kërkesa Komunës së Prishtinës që “me prioritet të trajtohen qentë endacakë në oborrin e QKUK-së”. E, kryetari Përparim Rama pati paralajmëruar nga fundi i shtatorit se brenda ditësh do të ndërmerren aksione për kapjen e qenve edhe nga oborri i QKUK-së, fillimisht për t’i trajtuar e më pas edhe për t’i dhënë për adoptim.  

Kryeministri Albin Kurti në takimin me kryetarët e komunave më 8 tetor tha se çështja e qenve endacakë po rëndohet çdo herë e më shumë, për çka u bëri thirrje komunave që bashkë me ministritë e linjave të përcaktojnë lokacionet për tu ndërtuar qendrat për trajtimin e tyre të përkohshëm. Ai tha se Qeveria e Kosovës është e gatshme që të bashkëfinancojë për këtë projekt.