Arbëri

Zogaj rizgjidhet kryesues i KGJK-së për një gjysmë mandati

Albert Zogaj

Foto: Alban Bujari

(Përditësuar: 10:20) - Albert Zogaj është rizgjedhur kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) në një proces në të cilin nuk kishte kundërkandidat. 

Në mbledhjen e mbajtur të enjten 10 anëtarë të KGK-së kanë votuar për Zogajn, ndërsa vota e anëtares Andrija Miletiq, që nuk mundi të votonte për shkak se mbledhjen e ndoqi online, derisa procesi ishte i mbyllur, u konsiderua si abstenim.

Por Zogaj në këtë pozitë pritet të qëndrojë vetëm 1 vjet e shtatë muaj, pak më shumë sesa gjysma e mandatit prej tri vjetësh, pasi që atëherë i skadon mandati si anëtar i KGJK-së. 

Rregullorja mbi Organizimin dhe Veprimtarinë e KGJK-së përcakton se kandidatë për pozitën e kryesuesit mund të jenë vetëm anëtarët gjyqtarë të Këshillit. Ligji për Këshillin Gjyqësor ua përcakton anëtarëve mandatin 5-vjeçar pa mundësi rizgjedhjeje, ndërsa kryesuesit ia kufizon në 3 vjet.

Zogaj tani ka edhe një vit e shtatë muaj nga përfundimi i mandatit si anëtar i KGJK-së.

Edhe pse asnjë anëtar nuk mund t’i ketë dy mandate si kryesues, meqë ato do ta tejkalonin mandatin 5-vjeçar si anëtar, kur është miratuar Rregullorja e KGJK-së më 2020, anëtari i KGJK-së dhe gjyqtari nga Mitrovica, Avni Mehmeti, pati insistuar që në Rregullore të shkruhej specifikisht që rizgjedhja e kryesuesit nuk lejohet. Ai pati thënë se është e kundërligjshme dhe se duhet të vlejë i njëjti parim si për kryetarët e gjykatave që nuk kanë të drejtë rizgjedhjeje.

Në fillim të qershorit KOHA kishte raportuar se si një muaj para i skadimit të mandatit të kryesuesit të KGJK-së, në këtë institucion ende nuk e dinin se si do ta zgjedhin të riun dhe se për këtë kishin kërkuar opinion nga Zyra Ligjore. 

“KGJK-ja pritet të marrë opinionin nga Zyra Ligjore për mënyrën se si duhet të veprojë me konkursin për kryesues të KGJK-së. Para se të hapet konkursi nuk mund të shprehet interesi për kryesues, prandaj në këtë fazë nuk mund të konfirmojmë se kush mund të jenë kandidatët e mundshëm. Ju njoftojmë se ky proces do të jetë krejtësisht transparent”, thuhej në një përgjigje të shkruar që KGJK-ja ia kishte dhënë KOHËS.

Ndërkaq Zogaj kishte thënë se rikandidimi është çështje personale e tij dhe se KGJK-ja nuk ishte vonuar me procedurat.

KOHA pati raportuar se gjatë mandatit të Zogajt është vendosur që anëtarët jogjyqtarë të KGJK-së të marrin shtesa në nivel page të gjyqtarëve. Po ashtu, në një hulumtim të KOHËS pati dalë që gruaja e kryesuesit Zogaj dhe ajo e ish-zëvendëskryesuesit Qerim Ademaj ua kishin bartur pronësinë e dy vilave në Stankaj nënave të tyre në kohën kur Prokuroria Themelore e Pejës kishte intensifikuar hetimet për ndërtime të kundërligjshme në këtë pjesë.

Gjatë këtij mandati ka pasur relaksim raportesh mes KGJK-së dhe Qeverisë, ndonëse në fillim janë hedhur më shumë kritika nga Qeveria për punën e Këshillit e që kanë nxitur më shumë reagime dhe thirrje nga KGJK-ja për ruajtjen e autonomisë së gjyqësorit. Një relaksim i tillë nuk ka ndodhur, megjithatë, mes Qeverisë dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.


Albert Zogaj, kandidati i vetëm për kryesues të KGJK-së

Kryetari aktual i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj është kandidati i vetëm për kryetar të këtij Këshilli. 

Në mbledhjen e KGJK-së e cila është duke u mbajtur të enjten ai u është drejtuar anëtarëve të KGJK-së me një fjalim, në të cilin ka folur për të arriturat si dhe vizionin e tij për të ardhmen e këtij institucioni. 

Pas këtij fjalimi pritet të bëhet votimi.