Arbëri

ZKA: Trepça s’i deklaroi 452,890 euro të siguruara nga shitja e xehes

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditorit për ndërmarrjen Trepça janë listuar një numër i madh parregullsish, mes të cilave edhe mos deklarimi i rreth gjysmë milioni euro të siguruara nga shitja e xehes. Menaxhmenti aktual ka akuzuar pararendësin dhe ka paralajmëruar bashkëpunim me Prokurorinë.

Një punëtor i Trepçës i mori 7 mijë e 657 euro më shumë se sa e ka pagën, tregon një nga shumë gjetjet që Zyra Kombëtare e Auditorit (ZKA) i ka listuar në raportin e fundit për gjigantin metalurgjik.
ZKA-ja i ka dhënë opinion të kundërt Trepçës, që nënkupton se ka gjetur shumë shkelje gjatë auditimit dhe se ato janë materiale dhe të përhapura.

Kjo ndërmarrja publike, sipas auditorit të jashtëm, nuk e deklaroi saktë për gati gjysmë milioni, as përfitimin nga shitja e xehes.

“Ndërmarrja tek të hyrat kishte prezantuar të hyrat nga shitja e koncentratit të plumbit dhe zinkut. Në kontabilitet nuk e kishte regjistruar komplet vlerën sipas dokumentit unik doganor, duke i nënvlerësuar të hyrat për vlerën 452,890 euro”, thuhet në raport.

Gjithashtu si problem, Zyra e Auditorit e identifikoi edhe shpërndarjen pa ndonjë bazë ligjore të disa pensioneve, në vlerë mbi 70 mijë euro.

“Gjatë vitit 2023, ndërmarrja ka realizuar pagesa në emër të pensioneve të parakohshme, për mesatarisht 288 persona në vlerë totale 70,550 euro, duke u bazuar në një vendim të menaxhmentit në vitin 2006. Vendimi kishte specifikuar se këtë të drejtë pensionistët e gëzojnë deri në hartimin e ligjit sistemor. Ne kemi kërkuar sqarime plotësuese mirëpo ndërmarrja nuk ka arritur ta dëshmojë bazën ligjore për këto pagesa”, theksohet në raportin e ZKA-së.

KOHA ka dërguar pyetje në ndërmarrjen Trepça, menaxhmentit të së cilës i janë kërkuar informacione për gjetjet e Auditorit dhe për veprimet e ndërmarra në raport me to. Në përgjigje, përgjegjësia i është vënë menaxhmentit të kaluar dhe është dhënë paralajmërimi për t’i adresuar në prokurori shkeljet.

“Raporti i ZKA-së është për gjetjet e vitit 2023 dhe në aspektin ligjor nuk e kemi asnjë përgjegjësi, sidoqoftë, ne po bashkëpunojmë me zyrën e ZKA-së për të gjitha çështjet e konstatuara në raport dhe ne do t’i adresojmë saktë dhe me profesionalizëm. Do të bashkëpunojmë ngushtë me organin e akuzës-prokurorinë që të gjithë ata që e kanë keqpërdorur paranë publike të dalin para gjyqit”, thuhet në përgjigjen me shkrim të ndërmarrjes Trepça.

Drejtoresha e ZKA-së, Vlora Spanca, në një deklarim në fund të muajit që shkoi tha se gjatë shtatorit Departamenti për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimit do të analizojë secilin raport, përfshirë edhe atë për Trepçën dhe për shkeljet e identifikuara do ta njoftojë prokurorinë.