Procesi i vendosjes së kamerave të sigurisë në Fushë-Kosovë është shoqëruar me mangësi. Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për 2023-n tregoi se operatori ekonomik, të cilin Komuna e përzgjodhi për këtë projekt, nuk i ka plotësuar kriteret bazë të parapara në dosjen e tenderit, pasi nuk e ka ofruar certifikatën e dëshmisë së cilësisë së pajisjeve. E me këtë gjetje, nuk është pajtuar kryetari i komunës
Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar parregullsi në kontratën e tenderit 489 mijë eurosh të Komunës së Fushë-Kosovës për vendosjen e kamerave të sigurisë në qytet dhe në fshatrat përreth në vitin 2023.
Raporti ka reaguar se gjatë inspektimit të auditorit të jashtëm është konstatuar se operatori ekonomik që u përzgjodh fitues nuk i ka përmbushur kriteret bazë që parashihen në dosje të tenderit.
Sipas raportit, operatori nuk i ka ofruar certifikatat që e dëshmojnë cilësinë e pajisjeve.
“Kemi vërejtur se operatori ekonomik fitues, në listën e certifikatave ISO, të ofruara, kishte siguruar vetëm ato të partnerit të dytë të konsorciumit, por jo edhe të partnerit të parë. Pra, lideri i Grupit të Operatorëve Ekonomikë të shpërblyer me kontratë nuk i kishte bashkëngjitur në dosjen e ofertës për këtë tender certifikatat e ISO standardeve, siç kërkohen në dosje të tenderit dhe në rregullore të prokurimit publik, që thotë se të gjithë anëtarët e grupit duhet që t’i plotësojnë të gjitha kriteret e pajtueshmërisë profesionale”, thuhet në raportin e ZKA-së për Fushë-Kosovën.
Raporti thekson se mangësia ka ndodhur si pasojë e vlerësimit jokorrekt të Komisionit Vlerësues. Aty është shprehur vërejtja se kontraktimi i operatorit ekonomik që nuk i përmbush kriteret e kërkuara mund të ndikojë në mosrealizimin e kontratës.
ZKA-ja e ka rekomanduar kryetarin e Fushë-Kosovës, Burim Berisha, që të ndërmarrë veprime.
“Kryetari duhet të sigurojë forcimin e kontrolleve në fushën e prokurimit, në mënyrë që vlerësimi i ofertave të bëhet në pajtueshmëri të plotë me kërkesat e vendosura në dosjet e tenderit dhe në pajtueshmëri të plotë me kërkesat ligjore”, thuhet në raport.
Por Berisha, nëpërmjet letër–konfirmimit drejtuar ZKA-së, ka shprehur mospajtim me përmbajtjen e raportit.
“Nuk pajtohemi me gjetjet dhe rekomandimet. Komentet i kemi dorëzuar për përmbajtjen e Raportit të Pasqyrave Financiare Vjetore të 2023-s. Ne vlerësojmë se grupi i operatorëve ekonomikë fitues është bërë në pajtueshmëri të plotë me Rregulloren për prokurim Publik”, thuhet në letrën e Berishës dërguar ZKA-së në lidhje me raportin.
Krahas kësaj parregullsie, Auditori ka evidentuar si mangësi edhe klasifikimin joadekuat të shpenzimeve e pagesat që kjo Komunë i bëri për projekte të caktuara nga buxheti për projekte të tjera.