Në prezantimin e këtyre gjetjeve, zëvendësauditori Bezart Halilaj ka thënë se 31 hektarë tokë të Institutit Bujqësor të Kosovës janë tjetërsuar në rrethana të paqarta. Ai ka shtuar se mungesa e aktivizimit të inspektorëve në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka ndikuar që tokat të degradohen dhe të shfrytëzohen në mënyrë të paautorizuar. E auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, e ka kualifikuar si tejet shqetësuese tjetërsimin ndër vite të këtyre pronave
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar parregullsi të shumta në procesin e shitjes dhe të dhënies me qira të pronave publike e për të cilat ka bërë thirrje zyrtarëve përgjegjës që ta kenë vëmendje në menaxhimin e këtyre pronave.
Në prezantimin e këtyre gjetjeve, zëvendësauditori Bezart Halilaj ka thënë se 31 hektarë tokë të Institutit Bujqësor të Kosovës janë tjetërsuar në rrethana të paqarta. Ai ka shtuar se mungesa e aktivizimit të inspektorëve në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka ndikuar që tokat të degradohen dhe të shfrytëzohen në mënyrë të paautorizuar.
“Instituti aktualisht i ka në pronësi rreth 309 ha. Prej tyre, mbi 52ha shfrytëzohen në mënyrë të paautorizuar, rreth 260ha janë destinuar për dhënie me qira, ndërsa për nevojat hulumtuese, nga Instituti shfrytëzohen vetëm 5ha”, ka theksuar ai.
E auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, e ka kualifikuar si tejet shqetësuese tjetërsimin ndër vite të këtyre pronave. Ajo ka theksuar se njëra prej gjetjeve të ZKA-së ka të bëjë me një numër kontratash për projekte kapitale që janë nënshkruar në mungesë të fondeve dhe pa u miratuar fondet e parapara me ligj.
“Kjo e kërcënon buxhetin e shtetit me kosto shtesë të paplanifikuara, ndërsa mungesa e kontrolleve në këto projekte mund të rezultojë edhe në keq menaxhim të tyre. Prokurimi publik dhe menaxhimi i kontratave vazhdon të mbetet sfidë për institucionet publike”, ka thënë Spanca.
Ajo ka bërë të ditur se tek ndërmarrjet publike, menaxhimi dhe zvogëlimi i humbjeve ka shënuar përmirësim të dukshëm në vitin 2023, porse ka shtuar që sfidë mbetet forcimi i menaxhimit financiar dhe i kontrolleve në ndërmarrjen publike “Trepça”.
Në Zyrën Kombëtare të Auditimit kanë thënë se që nga viti 2018 i kanë dërguar 143 raste të dyshimta për vepra penale në Prokurorinë e Shtetit, porse vetëm në tri prej tyre janë ngritur aktakuza.