Arbëri

Zjarrvënësit në veri mbesin “të panjohur” për institucionet e sigurisë

Javën e shkuar është shënuar rasti i fundit i zjarrvënies së automjeteve në veriun e banuar kryesisht me serbë, e prej një viti kanë ndodhur edhe shumë raste të ngjashme. Por, përgjegjësit ende nuk janë kapur nga institucionet. Në shoqërinë civile thonë se mungesa e rezultateve të autoriteteve të sigurisë tregon edhe për mungesë besimi të qytetarëve për të bashkëpunuar

Personat që ua kanë vënë zjarrin automjeteve e lokaleve private në veri të Kosovës mbetën të panjohur për institucionet e drejtësisë. 

Në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës nuk kanë treguar për veprime që janë bërë në funksion të zbardhjes së këtyre rasteve, por kanë theksuar se po zhvillohen hetime në këtë pjesë të banuar kryesisht me serbë. 

“Është një numër i këtyre rasteve të zjarrvënieve në komunat veriore në veri të vendit, të kryera nga N.N. persona (persona të panjohur v.j.). Njoftoheni se Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke ndërmarrë veprime hetimore për t’i zbuluar këto raste”, thuhet në përgjigjen nga ky institucion.

Javën e shkuar zjarri iu vë dy kamionëve të një kompanie shqiptare në Mitrovicë të Veriut. Incidentet e tilla kanë qenë të shpeshta, sidomos pas vendimit të Qeverisë për ta ndalur qarkullimin e automjeteve me targa ilegale. Një numri automjetesh që konvertuan targat serbe në ato RKS u dogjën. Sulmeve nuk i shpëtuan as zyrtarët komunalë e policorë.

Institucionet e sigurisë nuk ofruan të dhëna në lidhje me numrin e incidenteve të deritashme. E, në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) mungesën e rezultateve në këto raste e interpretuan si mungesë besimi të qytetarëve të veriut për të bashkëpunuar me autoritetet. 

“Në syrin e qytetarit kjo shihet si mospunë e institucioneve të Republikës së Kosovës, në këtë rast institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë në atë pjesë, mirëpo përveç kësaj është shumë me rëndësi që qytetarët e asaj pjese të kenë besim në institucionet e Republikës së Kosovës dhe të shprehin atë besim... Përmes kapjes së kryerësve të veprave penale, në këtë rast të zjarrvënies, ata të jetojnë në një ambient më të sigurt dhe të kenë kushte më të mira për jetesë sa i përket sigurisë”, ka thënë Astrit Kolaj, hulumtues në IKD.

Sipas tij, për institucionet është e rëndësishme që krahas shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të krijohet edhe atmosfera e besimit dhe e bashkëpunimit me qytetarët. 

Vetëm në pjesën e parë të këtij viti është raportuar për një sërë rastesh të ngjashme të djegies së veturave apo pronave të tjera private. Në qershor dy vetura janë djegur në Mitrovicë e në prill edhe një tjetër, që ishte në pronësi të një pjesëtari të Policisë kufitare. 

Në mars zjarri i është vënë edhe lokalit të ish-zëvendëskryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq, e po ashtu edhe një objekti tjetër në pronësi të Nenad Radosavleviqit, ish-drejtor i Administratës në Leposaviq.