Arbëri

Zjarri në ndërtesën në Emshir la pa energji banorët dhe dëmtoi rrjetin e ujërave të zeza

Zjarri që shpërtheu në garazhin nëntokësor të një ndërtese në lagjen Emshir të Prishtinës, la shumë pasoja. Trembëdhjetë persona që kërkuan ndihmë mjekësore janë liruar pas trajtimit mjekësor. Ndërkaq, nga flakët kanë mbetur pa energji elektrike dy ndërtesa dhe është dëmtuar edhe rrjeti i ujërave të zeza

Hysen Cakaj, të premten po pastronte shkallët e mbushur me copa të xhamave që ishin shpërndarë pas intervenimit të Policisë dhe zjarrfikësve mbrëmjen e së enjtes për shpëtimin e nipit katër muajsh dhe resë së tij. Tymi i shkaktuar nga zjarri në garazhin nëntokësor në një ndërtese që ndodhet në lagjen Emshir të Prishtinës, përfshiu gjithë banesën. Cakaj tha se gjendja e familjarëve të tij është e mirë.

“Situata ka qenë jashtëzakonisht e rëndë, e rrezikshme. Ka qenë trishtuese për anëtarët e familjes, edhe për krejt këta banorë që kanë qenë këtu në këtë ndërtesë. Posaçërisht për fëmijët dhe ata të cilët kanë qenë të sëmurë. Kemi rastin për familjen time, bebja katërmuajshe ka arritur të shpëtojë përmes ballkonit, të cilët kanë qenë të aktivizuar Policia dhe njësia e zjarrfikësve kanë arritur që ta nxjerrin prej banese dhe e kanë shpëtuar”, ka thënë Cakaj.

Nga tymi i përhapur në të gjitha katet, 13 persona kërkuan ndihmë mjekësore.

“Ju njoftojmë se 13 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore emergjente në Klinikën Emergjente, si pasojë e intoksikimit. Pas ndihmës emergjente mjekësore, të gjithë janë liruar për në shtëpi”, ka bërë të ditur QKUK-ja.

Abdusamed Shkodra, zëvendëskomandant i Brigadës së Zjarrfikësve, u bëri apel banorëve që në raste të tilla të ndjekin udhëzimet e zjarrfikësve. Ai tregoi se edhe pasi është fikur zjarri, ekipi ka qëndruar gjithë natën në vendngjarje.

“Zjarri është i fikur. Veç, diku mbrëmë rreth orës 23:00 intervenimi ka qenë i përfunduar vetëm është dashur të kujdestarojnë ekipet në rast të ndonjë ndezjeje të zjarrit”, ka theksuar Shkodra.

Policia nuk ka treguar shkaktarin e zjarrit, por burime të KOHËS thanë se në garazhin e ndërtesës fillimisht është djegur një veturë dhe nga flakët janë dëmtuar edhe të tjera vetura të parkuara.

Po ashtu, janë dëmtuar kabllot elektrike, duke lënë pa rrymë dy ndërtesat që kanë garazhin e përbashkët.

Zjarri ka dëmtuar gypat e kanalizimit, e për pasojë, ujërat e zeza janë derdhur në garazhin nëntokësor.