Arbëri

Zjarrfikësit e policët në krye të detyrës. Ndihen të lumtur që u shërbejnë qytetarëve edhe në ditë feste

Jo të gjithë patën mundësinë të prisnin ndërrimin e moteve me familje. Shumë nga zjarrfikësit e policët ishin në shërbim të qytetarëve. Ata thonë se u mungon ambienti familjar në ditët e festave, porse ndihen të lumtur që janë në shërbim të qytetarëve.

Viti i Ri i gjeti zjarrfikësit në vendin e punës. Janë larg familjeve, por atmosferë e gjallëri ka në Brigadën e Zjarrfikësve në Prishtinë.

Në këtë brigadë tregojnë se ambienti familjar gjithmonë u mungon në ditët e festave.

“Viti i Ri pritet në detyrë, siç e quajmë ne. Mundohemi ta kemi edhe ne një festë nëse nuk na ndërpritet, për shkak të intervenimeve nëse kërkohet t’u dilet qytetarëve në ndihmë”, ka theksuar zëvendëskomandanti i Brigadës së zjarrfikësve në Prishtinë, Abdusamed Shkodra.
Kremtja nuk zgjat shumë. Atë e ndërpret një telefonatë.

Dy ekipe të zjarrfikësve nisen menjëherë. E, përgatitja për intervenim zgjati gjithsej 60 sekonda. 
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, nuk dha detaje për intervenimin. E tek foli për raste të tjera, tha se ato kanë qenë të menaxhueshme.

“Ka pasë intervenime por nuk kanë qenë të përmasave të mëdha, kanë qenë zjarre që kanë mujtë të menaxhohen për një kohë shumë të shkurtër dhe gjithçka ka shkuar në rregull”, ka theksuar Gashi.
Në ndërrimin e moteve Brigadën e Zjarrfikësve e vizituan zyrtarë institucionalë. Nga aty u dhanë përgëzime për angazhimin dhe përkushtimin, për të shpëtuar jetët e qytetarëve. 

Në natën e ndërrimit të moteve nuk pati pushim as për zyrtarët policorë.

Prej katër vjetësh togeri Eshref Beqiri Vitin e Ri e pret në punë. Ai thotë të jetë i lumtur që u shërben qytetarëve.

“Puna e Policisë në disa momente të ndan prej jetës private dhe je larg familjes, po ne e kemi familjen e madhe, familjen e Policisë, familjen policore, prandaj në shumicën e kohës nuk e ndiejmë atë zbrazësinë e madhe për shkak që njëri-tjetrin e përkrahim në çfarëdo situate”, ka thënë Beqiri.

Me qëllim të menaxhimit të sigurisë gjatë festave të fundvitit, Policia ka hartuar një plan operativ, që përfshin shtimin e prezencës policore në rrugë dhe në ambiente të hapura, në mënyrë që të bëhet i mundur parandalimi dhe luftimi i dukurive negative dhe akteve të ndryshme kriminale.