Jo të gjithë patën mundësinë të presin ndërrimin e moteve në shtëpi. Shumë nga zjarrfikësit, policët e të tjerë në shërbim të qytetarëve ishin në vendet e tyre të punës. Kolegia Meridiana Statovci na sjell materialin nga këto dy institucione se si u prit Viti i Ri në vendin e punës
Nuk është hera e parë që Vitin e Ri zjarrfikësit e policët e presin në punë.
Megjithatë, festa nuk mungon, edhe pse nuk e dinë se sa do t’ju zgjasë, për shkak se si çdo vit mund të ketë incidente nga shpërthimi i fishekzjarrëve.
Nga grupi i zjarrfikësve që në ndërrimin e moteve qëlloi në detyrë, për 2024-n, shprehën një dëshirë. E ajo është përmirësimi i kushteve të punës.
“Nëse ne jemi duke kërkuar objekte më të mira për punë ne nuk i marrim në shtëpitë tona, i kërkojmë për personelin këtu, nëse kërkojmë që të na bëhen automjete të reja dhe modern me pajisje modern për ta kryer punën tonë, sepse ato na mundësojnë që ta kryejmë punën mirë”, theksoi komandanti i brigadës së zjarrfikësve, Malë Gashi.
Përveç zjarrfikësve, as për policët nuk ka pushim në festa.
Policja Fjolla Morina ka 5 vjet që vitin e ri e pret në punë. Ajo ndihet e lumtur për shërbimin e saj ndaj qytetarëve.
“Është sfiduese edhe emocionale në të njëjtën kohë sepse në natën e vitit të ri ne ndjejmë emocion të veçantë. Mirëpo përveç sfiduese është edhe ndjenjë e mirë dhe krenari sepse na iu shërbejmë qytetarëve në këtë natë, duke festuar ka situata kur qytetarët edhe pësojnë lëndime me fishekzjarrë”, deklaroi Morina.
E Komuna e Prishtinës organizoi pritjen e Vitit të Ri në sheshin “Xhorxh Bush”. Pati koncert me këngëtarë kosovarë, por pjesëmarrja e qytetarëve ishte e vogël.
Edhe pse festë, ata patën mesazhe edhe për politikën.
“Pres që politika të behët bashkë dhe të mos kemi ndasi për të mirën e qytetarëve. Kjo është dëshira ime e vetme”, tha një qytetar.
“Nuk presim përmirësime shumë të mëdha, ne po shpresoj që të paktën të kemi shëndet sepse rrjedha e jetës si ka shkuar nuk është e kënaqshme”, theksoi një tjetër qytetar.
Policia ka njoftuar të hënën se nata më e gjatë e vitit ka kaluar pa incidente serioze.