Komuna e Kamenicës ka reaguar pas zjarreve në lokacionin Gugulloc-Bushinicë. Komuna në një postim në orët e vona të së shtunës ka thënë se banorët e atyre zonave janë jashtë rrezikut dhe se po punohet për shuarjen e vatrave të zjarrit.
“Njoftojmë të gjithë qytetarët e Komunës së Kamenicës se zjarret aktive aktualisht, janë duke ndodhur në territorin e Komunës së Artanës, më saktësisht në lokacionin Gugulloc-Bushincë. Po punohet vazhdimisht në shuarjen e zjarreve nga ekipet e zjarrfikësve, edhe pse terreni është i papërshtatshëm, disa vatra nuk mund të arrihen, si dhe ka nevojë për shtim kapacitetesh dhe ndihmë me ekipe të tjera. Është e rëndësishme të dihet se banorët që jetojnë në ato zona, janë jashtë rrezikut, si dhe po punohet edhe në këtë orë për shuarjen e të gjitha vatrave të zjarrit. Gjithashtu ky njoftim, le të jetë edhe thirrje për kujdes të shtuar nga të gjithë, duke shmangur mundësinë e ekspozimit ndaj shkaktarëve të mundshëm të zjarreve”, ka njoftuar Komuna nëpërmjet një postimi në Facebook.
Kohëve të fundit Kosova është përballur me qindra zjarre.
Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka shprehur dyshime se zjarrvëniet ishin të qëllimshme.
Zjarre ka pasur në Skenderaj, Zubin-Potok, Prishtinë e Deçan.