Bashkimi Evropian po pret formimin e qeverisë së re në Kosovë për ta caktuar datën e takimit të radhës në dialogun me Serbinë. Mirëpo, angazhimi i ndërkombëtarëve në bisedimet gjatë 2021-s, sipas njohësve të këtij procesi, nuk do të jetë i madh. Si arsye ata përmendin zhvillimet në SHBA dhe proceset e brendshme nëpër disa prej shteteve të BE-së
Vëmendjen ndërkombëtare që e pati vitin e kaluar dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vështirë se do ta ketë edhe sivjet. Ndërrimi i administratës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe proceset zgjedhore nëpër të cilat do të kalojnë disa shtete të Bashkimit Evropian, sipas njohësve të procesit të dialogut, do të ndikojnë në këtë çështje.
Pavarësisht optimizmit në administratën Biden, Demush Shasha nga Instituti EPIK thotë se presidentit të ri amerikan do t'i nevojitet kohë që të fillojë të merret me të gjitha prioritetet e politikës amerikane.
“Sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ballafaqohen me një varg të gjerë prioritetesh, në veçanti në politikën e jashtme, sikur që është Lindja e Mesme, Kina, Rusia, ngrohja globale. Pra, janë shumë tema që do ta konsumojnë vëmendjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nuk do të jenë në gjendje që të merren me të gjitha. Prandaj, në këtë kontekst, në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm, nuk jam shumë optimist se do të kemi ndonjë lëvizje gjatë vitit 2021”, ka deklaruar Shasha.
Ai e vlerëson të vështirë edhe arritjen e konsensusit të partive politike në Kosovë për dialogun. “Vëmendja politike, por edhe qytetare, do të jetë në adresimin e pasojave të pandemisë. Sa i përket aspektit të brendshëm, gjykuar nga historiku i dialogut, do të jetë shumë vështirë që partitë politike të gjejnë konsensusin e nevojshëm brenda Kuvendit të Kosovës për dialogun me Serbinë”, ka shtuar Shasha. Skeptik për ndonjë përparim të shpejtë këtë vit është edhe njohësi amerikan i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer.
“Mendoj që varësisht nga rezultati i zgjedhjeve, procesi për formimin e qeverisë do të jetë shumë i vështirë. Eventualisht mund të ketë zgjedhje në fund të vitit 2021 apo në fillim të vitit 2022 në Serbi gjithashtu. Mendoj që viti i ardhshëm mund të paraqesë një përpjekje të mirë për rezultate të menjëhershme, duke shpresuar gjithmonë që pas zgjedhjeve presidenciale të Serbisë mund të shënjohet progres i vërtetë në vendimet e rëndësishme shtetërore”, ka deklaruar Serwer.
Minimumi çfarë mund të bëjnë palët, sipas Serwerit, është zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani. Në këtë pjesë ai thotë se amerikanët mund të luajnë rol mbështetës ndaj BE-së.
Administrata e Bidenit e ka konfirmuar angazhimin për t’i shtyrë palët drejt njohjes reciproke, pa cenuar territoret e të dy shteteve.
Në një përgjigje për KOHËN të mërkurën, kjo administratë ka shfaqur shpresën që njohuritë e Bidenit për Ballkanin Perëndimor të ndihmojnë në arritjen e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Siç ka thënë Presidenti Biden, ‘një zgjidhje gjithëpërfshirëse që do të çojë në njohje reciproke, të ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial të të dy shteteve dhe të forcojë institucionet e tyre demokratike është thelbësore që Kosova dhe Serbia të ecin përpara. Sekretari Blinken ka folur për përpjekjet e administratës Trump për Kosovën dhe Serbinë: ‘Edhe unë e përshëndes atë. Presidenti i zgjedhur, siç e dini, kaloi shumë kohë në ato vende në të kaluarën dhe mendoj që ai ndan bindjen se ka gjëra që mund të bëjmë për të ndihmuar në lëvizjen e Kosovës përpara dhe gjithashtu shpresojmë të lëvizim Serbinë përpara”, thuhej ndër të tjerash në përgjigjen e administratës amerikane.
Në anën tjetër, BE-ja kishte thënë se puna për dialogun është duke vazhduar dhe se për caktimin e takimit të radhës po e pret formimin e qeverisë së re në Kosovë.
Zëdhënësi për Punë të Jashtme i BE-së, Peter Stano, i ka thënë KOHËS të enjten se në të njëjtën kohë po presin bashkëpunim të ngushtë edhe me përbërjen e re të administratës së SHBA-së.
“Bashkimi Evropian do të vazhdojë të angazhohet me pjesëmarrësit e tij në Kosovë për dialogun Beograd–Prishtinë. Nuk është për ne si BE të zgjedhim bashkëbiseduesit tanë, por për Kosovën dhe autoritetet e saj të vendosin se si interesat e tyre shërbehen dhe përfaqësohen më së miri”, kishte thënë Stano. Takimi i fundit i nivelit të lartë është mbajtur në Bruksel më 7 shtator 2020, tri ditë pas nënshkrimit të dokumentit me zotime në Washington. Dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011.