Kuvendi

Zhbllokohet miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

Dy ditë pas takimit që kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar me kryetarin e Partisë Demokratike (PDK), Memli Krasniqi, grupi më i madh opozitar në Kuvend ka ndryshuar qëndrim lidhur me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Por kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, ka mohuar se gatishmëria për votimin e këtyre marrëveshjeve, të cilat e kapin vlerën e mbi 300 milionë eurove, është derivat i takimit Kurti-Krasniqi

Bllokadës pothuajse njëvjeçare për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare i ka ardhur fundi. Dy ditë pas takimit që kryeministri Albin Kurti zhvilloi me kryetarin e Partisë Demokratike (PDK), Memli Krasniqi, grupi më i madh opozitar në Kuvend ka ndryshuar qëndrim lidhur me çështjen.

Por kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, ka mohuar se gatishmëria për votimin e marrëveshjeve që e kapin vlerën e mbi 300 milionë eurove është derivat i takimit Kurti-Krasniqi. 

“Ky qëndrim i PDK-së është si rezultat i kandidaturës sime për kryeministër. Unë jam kandidat i PDK-së për kryeministër dhe besoj dhe do të punoj fort që të udhëheq e të qeveris me vendin tonë”, ka thënë Hamza, teksa ka shtuar se për këtë vendim PDK-ja e ka vënë interesin e qytetarëve para asaj individuale partiake. Ai ka thënë po ashtu se krahas mjeteve të bllokuara nga mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, në Qeveri janë të bllokuar edhe miliona të tjerë.

“Ka edhe qindra miliona të tjerë të ratifikuara në Kuvendin e Kosovës, të cilat nuk janë të disbursuara, nuk janë të shpenzuara si rezultat i paaftësisë për t’i kryer dhe ekzekutuar projektet në dobi dhe interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, është shprehur ai.

Tek ka folur në cilësinë e kandidatit për ta udhëhequr qeverinë e ardhshme, Hamza ka thënë se do të angazhohet që të punojnë në ndryshimin e situatës aktuale. 

“Duhet të punojmë në përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve tanë, përndryshe do të vazhdojmë të ballafaqohemi me rrezikun më të madh që e ka Kosova, e që është emigracioni. Nëse e humbin fuqinë punëtore, kapitalin, vajzat, djemtë e ri, burrat, gratë e kualifikuara ky do të jetë një dëm i madh për vendin”, ka thënë ai.

Hamza nuk ka treguar nëse pas votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare do të iniciohet shpërndarja e Kuvendit si dhe nëse kjo do të bëhet edhe pa përkrahjen nga dy partitë e tjera opozitare.

PDK-ja ndan qëndrim të njëjtë me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), zgjedhjeve të reja duhet t’u hapet rrugë nëpërmjet shpërndarjes së Kuvendit. Qëndrim ndryshe kanë në Lidhjen Demokratike (LDK) dhe në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Në LDK kërkojnë që në zgjedhje të shkohet vetëm pas dorëheqjes së Kurtit. Krahas këtij opsioni, për AAK-në i pranueshëm është edhe ai i shkarkimit të Kurtit.

Në funksion të zgjedhjeve të parakohshme, kryeministri Kurti të mërkurën e pati një porosi për opozitën.

“Opozita duhet të bëhet gati për zgjedhje. Ne jemi gjithmonë gati. Përndryshe nëse ata janë rehat, shkon mandati deri në fund”, ka thënë ai. 

Deputetë të PDK-së kanë kundërshtuar votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që nga korriku i vitit të shkuar, me justifikimin se përfitimet prej tyre nuk janë të mundura shkaku i masave të BE-së dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Pos marrëveshjeve ndërkombëtare, PDK-ja nuk ka marrë pjesë as në votimin e projektligjeve të tjera.