Për mësimdhënësin nga Komuna e Pejës, Adem Mustafa, që u suspendua për shkak të dyshimit për sulm seksual ndaj nxënëses së tij, pritet që të zgjerohen hetimet edhe për një rast tjetër të ngjashëm.
KOHA ka marrë vesh se rasti që çoi në suspendimin e tij nuk është i vetmi akt me të cilin po merret Prokuroria e Pejës.
Por, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, nga Prokuroria në Pejë nuk kanë dhënë shumë detaje.
“Dyshimet janë se i njëjti si person zyrtar ka keqpërdorur detyrën zyrtare në cilësinë e mësimdhënësit, me ç’rast ka kryer veprën penale sulm seksual ndaj një personi të mitur, për këtë çështje janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme hetimore”, ka njoftuar zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.
Mustafa u denoncua në Polici nga babai i një 13-vjeçareje, pasi që vajza i kishte treguar se ishte sulmuar seksualisht nga arsimtari pas mbarimit të procesit mësimor.
Mësimdhënësi i cili për shkak të këtij rasti u suspendua për 6 muaj, do të vazhdojë të marrë edhe më tutje 50% të pagës.
Në shkollën në të cilën ligjëroi arsimtari i biologjisë, e i cili është në paraburgim, gjatë së martës nuk ka qenë askush. KOHA ka biseduar me disa ish-nxënës të tij, të cilët kanë thënë se raste të tilla nuk kanë pasur sa kanë qenë në këtë shkollë.
Masat ndëshkuese të marra nga Drejtoria e Arsimit në Pejë po shihen si të gabuara dhe jo të mjaftueshme nga aktivistët.
Eurisa Rukovci, koordinatore e projektit në Kosova “Women 4 Women”, thotë se ky rast duhet të shërbejë si alarm për t’u marrë më seriozisht me rastet e tilla, që ndodhin në shkollat e Kosovës.
“Nuk është hera e parë që në institucione publike të arsimit ka dhunë të dokumentuar seksuale. Shteti është duke i braktisur dhe duke i lënë të pambrojtur fëmijët. Pse nuk ka monitorim nëpër shkolla? Pse nuk ka llogaridhënie? Ka qindra raste nëpër shkolla ku mësimdhënësit abuzues njihen me emër dhe mbiemër dhe vazhdojnë të praktikojnë dhe të viktimizojnë çdo vit fëmijë. A aq të painformuar janë nëpër shkolla tona, apo thjesht nuk po ju intereson?” – tha Rukovci.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Pejës, Naser Gega, nuk ka dashur të flasë për rastin, por shkurt ka thënë se duhet t’i referohemi dokumentit të suspendimit ndaj mësimdhënësit.
Raste të tilla në vend janë raportuar në pothuajse çdo vit, teksa për këtë çështje nuk ka folur as ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Organizata “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist” ka reaguar me anë të disa shkrimeve në mure, në Pejë, duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet e duke kërkuar trajtim të duhur për gratë.
Institucionet e hetuesisë në Pejë tashmë janë duke u marrë edhe me një rast të dhunimit seksual ndaj një 12-vjeçareje, që ka ndodhur një ditë më parë në këtë komunë.
“Gjatë 24 orëve të fundit, gjatë ditës së djeshme, ka ndodhur një rast i dhunimit, ku dyshohet se një i mitur ka dhunuar seksualisht një të mitur, i njëjti është ndaluar për 24 orë”, tha Nikçi.
Një sulm seksual i ndodhur gjatë vitit 2019 në një shkollë në Pejë përfundoi me vrasje të një personi në vitin e kaluar. Arsimtari XH.J. që dyshohet se në maj të 2021 vrau babanë e nxënëses së tij, ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë me 3 vjet e gjashtë muaj burgim efektiv.