Arbëri

Zgjedhjet “testuese”

Qytetarët me të drejtë vote, në zgjedhjet e 9 shkurtit, do të kenë mundësi që të votojnë deri në 10 kandidatë për deputetë apo 5 më shumë se që kanë pasur mundësi në zgjedhjet e fundit. Rritja e numrit të kandidatëve që qytetarët mund të votojnë, është vetëm një nga disa ndryshime që janë bërë në Ligjin për Zgjedhjet. Kandidatët e tyre të preferuar për herë të parë nga shtetet ku jetojnë, do të mund t`i votojë edhe mërgata

Ndryshe nga të tjerat do të jenë zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.

Qytetarët me të drejtë vote, në zgjedhjet e 9 shkurtit, do të kenë mundësi që të votojnë deri në 10 kandidatë për deputetë apo 5 më shumë se që kanë pasur mundësi në zgjedhjet e fundit.

Rritja e numrit të kandidatëve që qytetarët mund të votojnë, është vetëm një nga disa ndryshimet që janë bërë në Ligjin për Zgjedhjet.

Ndërhyrjet në këtë ligj, një vit më parë, janë përcjellë me diskutime të shumta por edhe kundërshtime.

“Konsideroj që një prej sfidave do të jetë kjo, pra çështja e edukimit, se a do të arrijmë ne që të përçojmë mesazhin te secili qytetar. Dhe këtu duhet mbështetje edhe e akterëve të tjerë, qoftë edhe mediave, qoftë edhe partive politike që të edukojnë qytetarët në raport me votimin me 10 kandidatë. Pra, e drejta e tyre sot qëndron që votojnë nga një deri në dhjetë kandidatë për një parti politike. Përderisa një njeri shfrytëzon të drejtën e tij të votës, është mirë që ta shfrytëzojë në plotni edhe të zgjedhurit e kandidatëve të tij më të mirë, por sigurisht ajo është gjithmonë në vullnetin e tij”, ka thënë Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së.

E Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim, thotë se në bazë të matjeve që i kanë kryer, qytetarët në Kosovë kanë mesatarisht tre deri në katër kandidatë të preferuar.

“Pra, mbi gjashtëdhjetë për qind e qytetarëve nuk e kanë të, le të themi të definuar se cili do të jetë kandidati i pestë... Madje vetëm edhe mund të ketë raste të manipulimeve potenciale nga ana e komisionerëve, ku në rastet kur votuesit nuk i shënjojnë të gjitha rubrikat deri në dhjetë kandidatë, ekziston rreziku që këto të mbushen nga komisionerë të papërgjegjshëm me kandidatë të tyre të preferuar”, ka deklaruar ai.

Adnan Rrustemi, kryetar i Komisionit për Legjislacion, thotë se rritjen e numrit të kandidatëve që mund të votohen brenda një subjekti,  do të rritet edhe cilësia e përfaqësimit politik.

“Është vlerësuar që kjo i shërben të themi mundësisë që figura të caktuara politike, profesionale të profileve të caktuara e kategorive të ndryshme shoqërore, të iu rriten mundësitë për të marrë vota gjithandej Kosovës nga pak, por eventualisht edhe për t'u zgjedhur deputetë”, ka deklaruar Rrustemi.

Kandidatët e tyre të preferuar, për herë të parë, nga shtetet ku jetojnë, do të mund t`i votojë edhe mërgata.

Sipas të dhënave të fundit që mbajnë datën 22 nëntor, KQZ-ja ka pranuar rreth 19 mijë kërkesa për regjistrim si votues.

Në përfaqësitë diplomatike në 22 vende të ndryshme të botës do të zhvillohet procesi i njëjtë zgjedhor sikurse në komunat në Kosovë.

Votimi jashtë vendit

Por, për dallim nga votuesit në Kosovë, ata jashtë saj, votën në kutitë e votimit do ta hedhin një ditë më parë.

“Numri i votuesve jashtë Kosovës, maksimal i votuesve jashtë Kosovës që mund të regjistrohen për të votuar në përfaqësi diplomatike është dyzeteshtatë mijë, sepse kjo varet ekskluzivisht sipas kapaciteteve fizike të përfaqësive diplomatike. Pra, numri i shtetasve që mund të regjistrohen për të votuar në një përfaqësi diplomatike është i kufizuar sepse kjo ndërlidhet drejtpërdrejt me kapacitetet fizike të tyre, pra të hapësirave ku ato janë të vendosura”, ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Deri më tani, votimi i qytetarëve nga jashtë Kosovës, është zhvilluar ose duke ardhur ata fizikisht për të votuar në vendlindje ose duke dërguar me postë votën e tyre.

“Ne kemi konsideruar që është shumë me rëndësi për të eliminuar këto pengesa të mërgatës për të marrë pjesë në zgjedhje që në të shkuarën, përkundër vullnetit kanë pasur shumë vështirësi për t'u regjistruar e për të votuar, kemi plotësuar domethënë mënyrën e votimit edhe me dy opsione të reja: votimin në ambasada dhe konsullata fizikisht në ditën e shtunë, një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë dhe votimin përmes postës, duke i dërguar me postë në adresë të ambasadave dhe konsullatave”, ka thënë deputeti Rrustemi.

E pikërisht ky proces votimi jashtë kufijve të Kosovës është duke u konsideruar si më sfiduesi me të cilin do të përballen institucionet përgjegjëse për mbarëvajtjen e tij.

“Pra, është një sfidë në raport me se si ka me ecë, çdo proces atje, qoftë i nominimit të komisionerëve, qoftë i materialit që do të ruhet, materialit që do dërgohet. Është edhe kjo tjetra e shërbimit postar që duhet të kontraktohet tash nga KQZ-ja dhe që jemi në proces të tenderimit. Pra, ka sfida të cilat është dashtë të marrim, të marrim edhe përvoja nga vendet e tjera, por edhe të shohim edhe praktikat më të mira që mund t'i realizojmë ne si institucion”, është shprehur Arianit Elshani, anëtar i PDK-së në KQZ.

Ndërkohë, Cakolli nga Demokracia në Veprim, vlerëson se votimi fizik në ambasada do të jetë tejet sfidues.

“Aktualisht KQZ-ja ka caktuar tavanin maksimal prej një mijë votuesish nëpër secilin vendvotim të cilët do të jenë të hapur për dymbëdhjetë orë, respektivisht shtatëqindenjëzet minuta dhe me mesataren e kohës sa i duhet një votuesi për të votuar në Kosovë dhe kjo ka qenë në bazë të matjes me votë preferenciale në pesë kandidatë, ka qenë tre deri në pesë minuta”, ka thënë Cakolli.

Numërimi i votave

Derisa votat e mërgimtarëve, qoftë të vëna fizikisht në kutitë e votimit apo edhe ato të përcjella me postë në ambasada e konsullata do të numërohen pasi të mbërrijnë në Kosovë, ndryshe do të veprohet me të tjerat.

Numërimi i votave do të ndahet në dy procese. Fillimisht, ditën e zgjedhjeve në vendvotime do të numërohen vetëm votat e subjekteve politike derisa një ditë më pas në qendrat komunale të numërimit, që do të hapen, do të numërohen ato për deputetët.

“Pasi të përfundojë procesi i votimit në vendvotime do të numërohet vetëm njëra pjesë e fletëvotimit, pra pjesa ku qytetarët, votuesit kanë përzgjedhur subjektet politike, kjo do t’i japë mundësi KQZ-së që të vazhdojë të shfaqë rezultate të shpejta preliminare për subjektet politike në të njëjtën ditë, pra pasi të përfundojë procesi i votimit dhe numërimit të fletëvotimeve”, ka deklaruar zëdhënësi i KQZ-së, Elshani.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, pjesë e grupit që ka hartuar Ligjin e ri për Zgjedhjet, Adnan Rrustemi, thotë se ky ndryshim ka ardhur pas shqetësimeve të vazhdueshme të kandidatëve për vjedhje të votave.

Sipas tij, ndarja e procesit të numërimit në dy pjesë do të ndikojë në certifikim më të shpejtë të rezultateve.

“Neve në Kosovë pothuajse dy muaj na merrte numërimi dhe certifikimi përfundimtar i rezultatit, ndërkohë që zgjedhjet që përgjithësisht kanë qenë të jashtëzakonshme organizoheshin brenda tridhjetë ditësh. Dhe unë besoj që ky numërimi i kandidatëve nëpër qendra komunale do ta përshpejtojë certifikimin përfundimtar të votave, sepse nuk do të ketë nevojë për rinumërime të shumta të përqendruara në QNR”, ka thënë Rrustemi.

E anëtar i PDK-së në KQZ, Elshani, ka thënë se këto qendra komunale të numërimit do të jenë transparente tërësisht, pra në mënyrë progresive do të publikohen rezultatet preliminare ku kandidatët që ditën e hënë (10 shkurt), rreth orës 12 do të kenë një marzh të caktuar të rezultateve në nivel vendi.

“Do të dinë saktë, pa pasur nevojë që kontaktojnë anëtarët e KQZ-së apo sekretariatin, apo brenda partive politike, do ta kenë këtë publike dhe të hapur nga portali i KQZ-së, ku do të plasohen të gjitha rezultatet, formularët e po ashtu edhe rezultatet që numërohen në qendra komunale të numërimit”, ka shtuar ai

Por, Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim, e konsideron të panevojshëm ndryshimin e bërë.

“Ne besojmë që ka qenë vendim i gabuar që të shkohet me këtë opsion, për shkak se standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira kërkojnë që numërimi i votave të kandidatëve të mos bëhet në hapësira të ndryshme nga ato për subjekte politike, e për më keq në bazë të rregullimit aktual të kësaj çështjeje nga ana e KQZ-së tashmë, përveçse do të numërohen votat e partive nëpër vendvotime kur kutitë e njëjta do të hapen ditën e nesërme nëpër qendrat komunale të numërimit, nuk do të numërohen vetëm votat e kandidatëve, por do të ketë rinumërim të tërësishëm”, ka theksuar Cakolli.

Votimi me kusht

Ndryshime janë bërë edhe sa i përket votimit me kusht. Ky proces nga tani e tutje do të mund të kryhet vetëm në një vendvotim në secilën prej komunave të Kosovës.

Ndryshe do të jetë edhe votimi i asistuar. Qytetarët nuk do të lejohet që të votojnë për dikë tjetër me arsyetimin se janë duke iu ndihmuar derisa edhe për t`u bërë një gjë e tillë duhet të jetë mirë e arsyetuar.

“Pra, e para nuk ka drejtë askush ta mbajë lapsin, në këtë rast gjatë procesit të votimit të personit që po voton. Dhe tjetra është që në çfarëdo lloj rasti ti duhet të kesh një dëshmi që nuk je i aftë për me votu vetë personalisht. Pra, dhe këto janë vetëm në raste shëndetësore. Nuk ka nevojë me ditë lexim për me bo tik, në këtë rast shkrim për me bo tik”, ka thënë Elshani.

Cakolli nga Demokracia në Veprim, thotë se në bazë të statistikave që janë publike del që shumica dërrmuese e votimit me asistencë, rasteve të votimit me asistencë janë gratë, sidomos të zonave rurale.

“Madje ka mijëra raste kur janë asistuar edhe gra të moshave krejt të reja deri në tridhjetë vjeç që për bindjen tonë përbën cenim të parimit të fshehtësisë së votës dhe është ndërhyrje e drejtpërdrejtë me vullnetin dhe përcaktimin e lirë të votuesve për shkak edhe të mentalitetit patriarkal në këto zona, apo edhe për shkak të rasteve të manipulimit dhe të keqpërdorimit me të drejtën e votës”, ka thënë Cakolli.

Zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë për herë të parë do të monitorohen edhe nga kamerat, xhirimet e të cilave do të vihen në dispozicion të institucioneve vetëm me qëllim të zbardhjes së ndonjë keqpërdorimi.

Qasje në procesin e numërimit të votave, kësaj here do të kenë edhe mediat.

“KQZ-ja me qëllim të ofrimit të një transparence sa më të madhe për mediat, por edhe të ofrojë sa më shumë siguri, qoftë për kandidatët apo edhe të rrisë besueshmërinë e qytetarëve në procesin zgjedhor, do të mundësojë që numërimi i fletëvotimeve në vendvotim të përcillet edhe nga media të interesuara. Ka mjaftueshëm vendvotime në Kosovë, varësisht se në cilin vetëm një media kërkon që të përcjellë numërimin, kjo mund të bëhet”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Elezi.

Derisa kanë mbetur rreth dy muaj e gjysmë deri në datën e zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke u marrë me regjistrimin e votuesve nga jashtë Kosovës e në pritje të paraqitjes së listës së kandidatëve nga subjektet politike.

Sipas listës preliminare të votuesve, janë gjithsej 2 milionë e 47 mijë e 148 qytetarë me të drejtë vote apo 161 mijë e 700 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet lokale të mbajtura më 17 tetor 2021.

Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës më 9 shkurt 2025 llogaritet të jetë afro 210 mijë sosh.