Të enjten në “Zgjedhjet në KOHË” në debatin për rritjen e pagave diskutuan kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja, kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Arben Mustafa, kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sokol Havolli dhe kandidati për deputet nga koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës - Nisma Socialdemokrate, Fatmir Matoshi.
Matoshi i AAK-Nisma akuzon Mujën për manipulim me numrin e çerdheve
Kandidati për deputet i koalicionit AAK-Nisma, Fatmir Matoshi, ka akuzuar Armend Mujën e LVV-së se po manipulon me numrin e çerdheve.
Muja u shpreh se në katër vjet qeverisje 68 çerdhe janë në funksionalizim e sipër.
“Do të vazhdojë shpenzimi për arsimin. Shpenzimi për çerdhe ka qenë premtimi ynë dhe do të vazhdojë. 68 çerdhe janë në funksionalizim e sipër krahasuar me një dekadë pa çerdhe. Na e kemi marrë pushtetin me vetëm 44 çerdhe”, ka thënë Muja në KTV.
Por kjo nuk i pëlqeu Matoshit të AAK-Nisma.
“Është manipulim, edhe pse me kontratë njëburimore ke dhënë ndërtim të çerdheve prapë është manipulim. Njerëzit na dëgjojnë. Ka shkolla që kanë filluar të ndërtohen para tri vjete dhe ende janë në gurthemel”, u shpreh ai.
“S’po dihet kush ka qenë në pushtet”, Mustafa i PDK-së ironizon Mujën
Kandidati për deputet i PDK-së, Arben Mustafa, ka ironizuar me Armend Mujën e LVV-së gjatë debatit në KTV të premten.
Mustafa ka thënë se, duke u bazuar në diskutimet që u bë në debat, nuk po dihet se kush u kanë në pushtet.
“Qeveria jonë i ka rrit pensionet 30 për qind, shumë më lartë se çdo qeveri paraprake”, deklaroi fillimisht Muja.
Më pas Fatmir Matoshi i AAK-Nisma ndërhyri duke e pyetur se ku e kanë programin.
“Aktualisht, po ia prezantojmë programin qytetarëve të Kosovës. Të gjitha do të jenë të mbledhura sepse ajo do të jetë kontrata jonë shoqërore me votuesin e Kosovës”, ka thënë Muja.
Dhe Mustafa ia përmendi disa premtime që LVV-ja nuk i ka realizuar në katër vjet qeverisje.
“Është interesante se në këtë panel nuk dallohet kush u kanë në pushtet, nëse e dëgjoni çka po flet. 150 çerdhe i keni premtu, 6 i keni nis, 4000 banesa për çifte të reja vijë s’ia keni bo. Me nejt katër vjet në pushtet, me ardh në këtë debat do ta bëjmë këtë, do ta bëjmë atë e s’ia keni bo vijë kurgjo hiç”, u shpreh Mustafa.
Plani i Vetëvendosjes për gjyshërit që kujdesen për nipat e mbesat
Kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se partia e tij planifikon që të kompensojë grupmoshën e vjetër që kujdesen për fëmijët në shtëpi nëse do ta drejtojnë qeverinë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Gjithashtu, Muja ka thënë se do të shtohet një plan i veçantë i “Superpunës” për gratë.
“Sa i përket shtesave për fëmijë, i kemi shtu 150 milionë euro dhe kjo shtesë në të ardhmen do të fuqizohet me masa të tjera... do ta rishikojmë arkitekturën sociale, e para është reforma e skemave pensionale për t’i bërë pensionet më të përballueshme, e dyta parasheh garantimin dhe fuqizimin e skemave të mbështetjes të masave aktive të punës, mbështetje për punë për të rinjtë dhe te gratë. Kësaj here shtohet një plan i veçantë për gratë, “Superpuna për gratë” dhe një tjetër është grupmoshat e vjetra që janë në shtëpi do të kompensohen për përkujdesjen ndaj fëmijëve”, ka thënë ai në KTV.
Ndërsa Arben Mustafa i Partisë Demokratike të Kosovës duke folur për shtesat e fëmijëve ka thënë se planifikojnë që të rrisin pagat çka do të ndikojë sipas tij edhe në mirëqenien e fëmijëve.
“Një shtesë 20 euro nuk ia ndryshon jetën fëmijëve. Me PDK-në do të rritet paga e familjes. Kryefamiljari do të ketë pagë dinjitoze për ta mbajtur familjen”, ka theksuar ai.
Sokol Havolli i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se nëse vijnë në pushtet do të ketë arkitekturë të re sociale dhe pensionale.
“5 mijë euro për fëmijën e tretë, meqë ka rënie të lindshmërisë dhe kjo mund ta simulojë rritjen. Do të ketë arkitekturë të re sociale dhe pensionale”, ka deklaruar Havolli.
Fatmir Matoshi ka treguar planet e koalicionit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – NISMA.
“1500 euro për lindjen e fëmisë së parë, 2500 për të dytin, 3000 për të tretin. 150 euro shtesa për fëmijët deri në moshën 16-vjeçare”, ka thënë Matoshi.
“Rritja e pagave” nxit përplasje mes LVV-së, PDK-së, LDK-së dhe koalicionit AAK-Nisma
Çështja e “rritjes së pagave” ka nxitur përplasje mes kandidatëve për deputetë të partive parlamentare, për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kandidati i Vetëvendosjes, Armend Muja, tek ka prezantuar shifrat që sipas tij paraqesin rritjen e pagave në mandatin e shkuar, ka bërë që të kundërshtohet zëshëm nga kandidatët e partive të tjera, Arben Mustafa i PDK-së, Sokol Havolli i LDK-së dhe Fatmir Matoshi i koalicionit AAK-Nisma.
Muja ka thënë se shifrat e rritjes së pagave i ka marrë nga Agjencia e Statistikave dhe Administrata Tatimore.
“Nëse në mars 2023 për grupmoshat 15-24 ka qenë paga 260 euro dhe kjo pagë pastaj në dhjetor të 2024 është 556 euro, është 92 për qind rritje, është përtej shkallës së inflacionit për këtë kategori”, ka thënë ai duke nxitur polemika.
Matoshi i ka kontestuar të dhënat duke thënë se i shikon pagat në neto dhe jo në bruto e se shumë kategori, sipas tij, marrin më pak se që pasqyrohet.
Ndërkaq Havolli i LDK-së e ka cilësuar pretendimin e Mujës si devijim të të vërtetës. Sipas tij, ngritja e çmimeve e bën rritjen e pagave të pavërejtshme.
“S’ka impakt të drejtpërdrejtë. Të rinjtë në Kosovë duhet t’iu eliminohen pengesat sepse ata po i zhvillojnë vetvetiu pa ndihmën e askujt shumë sektorë kreativë e s’mund t’i marrësh të dhënat e grupmoshës së re e t’i shkelësh të tjerët. Përzgjedhje e të dhënave çfarë ju konvenon”, ka thënë ai.
Ndërkaq Mustafa ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë manovrim me numra në mandatin e fundit sa i përket pagave.
“Por kanë harruar që në fund qytetarit s’mund t’ia mbushësh mendjen se po merr më shumë kur nuk merr. Këta po i thonë arsimtarit ta kemi rritë pagën, e në anën tjetër ia kanë hequr shtesat, ia kanë zvogëluar kontributin e përvojës së punës dhe ka mbetur paga aty ku është e po i thonë ti merr ma shumë po po të doket se po merr ma pak. Policit ia kanë rritur bruto por ia kanë hequr shtesat e sigurisë. Diskutim i stërzgjatur dhe tejkaluar sepse qytetari e di sa po i merr”, ka thënë Mustafa.