Të enjten në “Zgjedhjet në KOHË” në debatin për rininë e sportit diskutuan zëvendësministrja e Kulturës, njëherit kandidate për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Daulina Osmani, kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Paris Guri, kandidatja nga koalicioni AAK/Nisma, Agnesa Hajredini dhe Senad Ramaj nga Partia Liberale Egjiptiane.

Ata diskutuan mbi punët e qeverisjes aktuale dhe planet për qeverisje nga partitë e tyre.

Debati u zhvillua mbi platformën “Superpuna”, për punësimin e të rinjve, ndërtimin e stadiumeve në Kosovë dhe zhvillimin e aktiviteteve sportive.

LDK-ja propozon stadium kombëtar në Bërnicë, VV-ja thotë se lokacionin duhet ta caktojnë ekspertët

2 muaj më parë / 23 jan 2025 21:01
Paris Guri LDK

Zëvendësministrja e Kulturës, njëherit kandidate për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Daulina Osmani, ka deklaruar se stadiumi kombëtar do të ndërtohet, i kategorisë nga 25.000 deri në 30.000 ulëse.

Ajo ka deklaruar të enjten në “Zgjedhjet në KOHË” se ekziston një projekt i hartuar nga 2018-a, por shtoi se aty janë bërë shpenzime të fondeve publike për shpronësim.

“Stadiumi kombëtar do të bëhet. I kategorisë të ulseve 25.000 dhe 30.000. Kemi një projekt në Ministri që është hartuar në vitin 2018 me studim të fizibilitetit ku ai studim i fizibilitetit e orienton investimin në Drenas. Aso kohe janë bërë shpenzime të fondeve publike për shpronësim të asaj hapësire. Kemi përcjell kërkesa nga komuna e Prishtinës për tri lokacione potenciale ku mund të ndërtohen këto stadiume”, ka deklaruar Osmani.

Ajo u shpreh tutje se ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë duhet ta përcaktojnë lokacionin se ku duhet të ndërtohet stadiumi kombëtar.

Guri ka deklaruar se nën qeverisjen e LDK-së do të ndërtohen 5 stadiume rajonale.

“Qendra kombëtare e sportit do të jetë në Bërnicë. Aty do të jetë stadiumi kombëtar i Kosovës. Aty do të shkojë edhe Fakulteti i Edukatës Fizike së bashku me federatat sportive. Ky projekt në tërësi do të kushtojë 120 milionë euro”, ka deklaruar Guri.

Ai tutje ka theksuar se pallati kombëtar i sporteve do të kushtojë 20 milionë euro, e stadiumi kombëtar i Kosovës për 60 milionë.

Osmani ka folur edhe për projektin e stadiumit të Gjilanit.

“Do të ndërtohet Stadiumi i Gjilanit, por kemi thënë për një vit se s’na e ka marrë mendja që kur hymë aty s’ka projekt hiç. S’ka pas projekt hiç Stadiumi i Gjilanit në Komunën e Gjilanit. Janë investime 2 milionë euro pa projekt”, ka shtuar ajo.

Agnesa Hajredini nga koalicioni AAK-Nisma ka deklaruar se planifikojnë përkrahje për sportistë.

“Duke pasur parasysh sukseset ndërkombëtare, sportistët meritojnë përkrahje. Kemi menduar ndërtimin e stadiumin olimpik dhe renovimin e tyre, ka shumë të parenovuara”, ka deklaruar ajo.

Ndërsa, Senad Ramaj nga Partia Liberale Egjiptiane, ka thënë se synojnë të financojnë klube sportive që janë aktuale e aktive në Kosovë dhe riaktivizimin e atyre që s’janë aktivë.

Osmani e VV-së: Kosova do t’i ketë mbi 20 stadiume deri në 2028-n

2 muaj më parë / 23 jan 2025 20:50
Daulina Osmani

Zëvendësministrja e Kulturës, njëherit kandidate për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Daulina Osmani, ka deklaruar se programi i kësaj partie i parasheh dy projekte kryesore ku do të zhvillohet infrastruktura sportive.

Ajo ka deklaruar të enjten në “Zgjedhjet në KOHË” se është planifikuar që deri në 2028-n, Kosova t’i ketë mbi 20 stadiume në 18 komuna.

Ky projekt sipas saj, do të kushtojë 200 milionë euro, ndërsa projekti i dytë tha se do të jenë investimet sportive në kuadër të organizimit të Lojërave Mesdhetare.

“Janë dy projekte kyçe mbi të cilën do të zhvillohet infrastruktura sportive në programin e Lëvizjes Vetëvendosje. Është plani investiv pesëvjeçar i infrastrukturës së futbollit, deri në 2028 Kosova do t’i ketë mbi 20 stadiume në 18 komuna të Kosovës, program që tashmë është duke u zbatuar në bashkëpunim me UEFA, FIFA dhe FFK-së. 200 milionë euro për infrastrukturën. Në anën tjetër, i kemi edhe investimet sportive që do të bëhen në kuadër të Lojërave Mesdhetare”, ka thënë Osmani.

“Superpuna” përplas Gurin e LDK-së dhe Osmanin e LVV-së

2 muaj më parë / 23 jan 2025 20:39
Paris Guri dhe Daulina Osmani

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Paris Guri dhe kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Daulina Osmani, janë përplasur në “Zgjedhjet në KOHË’ për platformën e punësimit “Superpuna”.

Guri ka thënë të enjten se një pjesë të qytetarëve s’iu kanë ekzekutuar pagesat nëpërmjet kësaj platforme.

“’Superpuna’ ka pasur probleme jashtëzakonisht të mëdha me ekzekutimin e pagesave. Ka shumë shokë e shoqe tanë që tregojnë se s’iu kanë dalë pagat qe 3-4 muaj...kemi kërkuar informacione nga Ministria e Financave por s’na kanë kthyer përgjigje”, ka deklaruar Guri.

Ndërsa, Osmani u shpreh se kjo çështje trajtohet, e shtoi se në rastet specifike ka mund  të ketë pengesa.

“Në përgjithësi s’mund të themi që ky program ka pasur pengesa, por në raste specifike ka telashe në secilën fushë...Mbi 14.000 të rinj të punësuar në këtë program, në të cilën kanë qenë përfitues direkt të pa pjesës që mbulon buxheti i shtetit. Prej tyre ka edhe biznese”, ka deklaruar ajo.