Në “Zgjedhjet në KOHË” u zhvillua debati për qasjen e partive politike për veriun, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Në këtë panel diskutimi prezentë ishin kandidati për deputet nga AAK-ja, Haki Abazi dhe kandidati për deputet nga Lista për Familjen, Bejtush Gashi.

Abazi: Kosova gjendet në fazë alarmante

2 muaj më parë / 6 shk 2025 22:10
Haki Abazi

Haki Abazi, kandidat për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka deklaruar se Kosova gjendet në fazë alarmante sa i takon marrëdhënieve me partnerë strategjikë, duke u shprehur se po rrezikohet edhe interesi vital i shtetit.

Ai ka deklaruar se Kosova duhet të ecën në procese tutje bashkë me partnerët, “e jo të ballafaqohemi me faktin se kush përfitoi politikisht prej proceseve”.

“S’guxojmë interesin vital të shtetit dhe marrëdhëniet me partnerë strategjikë ta vendosim në këtë fazë ku jemi tani. Që është alarmante. Ky është problemi që duhet të ballafaqohemi, e jo me faktin se kush përfitoi politikisht prej proceseve”, ka thënë Abazi.

Kandidati për deputet ka përmendur Graçanicën dhe Shtërpcën si komuna në Kosovë që funksionojnë me sisteme paralele serbe.

“Shkojmë ne prej këtij emisioni në Graçanicë ose në Shtërpcë. Çka shohim atje? Flamuj serbë, funksionim të institucioneve paralele në Graçanicë, sistemit shëndetësor dhe arsimor. Të gjitha këto janë probleme që Kosova duhet të merret edhe mirë që ka ardhur një moment që bashkësia ndërkombëtare, institucionet e kaluara dhe të tanishme kanë bërë një progresion pozitiv. Kjo do të ishte fitore e madhe sikur të mos ishim nën sanksione”, ka thënë ai.

Gashi: Një investim ekonomik në veri do t’i ulte tensionet etnike

2 muaj më parë / 6 shk 2025 21:43
Bejtush Gashi

Bejtush Gashi, kandidat për deputet nga Koalicioni për Familjen, ka deklaruar se një investim i duhur ekonomik do të bënte që në veri të Kosovës të uleshin tensionet etnike. Ai ka thënë të enjten në “Zgjedhjet në KOHË” se qytetarët në veri po përballen me presion të jashtëzakonshëm nga grupe të ndryshme.

“Qytetarët në veri janë nën presion të jashtëzakonshëm sidomos nga grupet që lëvizin. Vështirë ato grupe të jenë në monitorim pasi janë të involvuara inteligjenca jo vetëm serbe, por edhe ndërkombëtare për ta përdorë atë territor potencialisht për të krijuar tensione”, ka deklaruar Gashi.

Ai u shpreh se secili tension do të mundësonte që të kishte ndikim politik te pakica “dhe në të njëjtën kohë të arrihen projekte strategjike për konsum të brendshëm të Serbisë”. Sipas kandidatit për deputet, këtë situatë e ka shfrytëzuar edhe Qeveria e Kosovës.

“...Kemi parë edhe momente kur Qeverisë së Kosovës i ka konvenuar një situatë e tensionuar pasi në 2 vitet e fundit fokusi i Qeverisë ka qenë në veri...Kur arrin një investim ekonomik t’i ulë ato tensione, e çështjen e mosmarrëveshjeve të rrafshit etnik s’do të jenë temë”, ka deklaruar ai.

“Zgjidhni ju këto probleme” – Çka i tha Grenelli AAK-së gjatë vizitës në Amerikë

2 muaj më parë / 6 shk 2025 21:23
Haki Abazi AAK

Haki Abazi, kandidat për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka deklaruar se emisari amerikan, Richard Grenell, iu ka thënë zyrtarëve të kësaj partie që Kosova vetë t’i zgjidhë problemet me veri, duke shtuar se secili opsion tjetër s’do të ishte në favor të Kosovës.

Në “Zgjedhjet në KOHË”, Abazi ka thënë të enjten se Kosova mund  të befasohet nga secili vendim i papritur i administratës Trump mbi zgjidhjen e çështjes së veriut. Ai ka deklaruar se Kosova “s’duhet të jetë problematizuese e çështjeve të brendshme”.

“Nuk mund të flas në emër të Administratës, por në asnjë formë s’duhet ta vendosim veten në tavolinë si problem sidomos nëpërmjet veriut. Çdo problem i veriut të problematizohet, në rastin e Trumpit, zgjidhet s’janë të elaboruara. Mund të befasohemi nga zgjidhjet që mund të vinë të prera merre ose lëre”, ka thënë Abazi.

Sipas tij, Grenell ka porositur që Kosova të mos jetë krijuese e krizave.

“...Kemi një marrëveshje të prezencës së NATO-s në Kosovë që është në avantazhin tonë. Ne duhet të mos krijojmë situata ku bashkësia ndërkombëtare, e frustruar, mos të thotë që jeni prodhues të krizave dhe ato zgjidhni ju. Ky ka qenë mesazhi që kishim në Shtetet e Bashkuara. S’mund të merremi me një problem që e ka gjenerimin, e diçka  tjetër diskutohet në Bruksel, e diçka tjetër në SHBA për veriun. Këtë e ka thënë Grenelli. S’është e mençur përplasja me SHBA-në, që të ballafaqohemi me situata që s’e kemi përgatitur as veten as institucionet tona”, ka thënë Abazi.