Në “Zgjedhjet në KOHË” u zhvillua debati për fushatën e partive politike.

Në debatin “fushata, më e ashpër në terren apo online”, diskutuan Natyra Kuçi nga Partia Socialdemokrate, Xhavit Drenori, analist politik, Shkelzen Dakaj gazetar dhe Besnik Krasniqi nga KOHA.

Krasniqi: Opozita po premton rritje të pagave, qëllimin e ka te 80 mijë punëtorët e administratës

2 muaj më parë / 30 jan 2025 23:22
Besnik Krasniqi

Gazetari Besnik Krasniqi ka thënë se në fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit janë dy premtime kryesore mbi të cilat po garohet.

Sipas tij, dy partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po garojnë me premtimin për paga në sektorin publik, ndërsa Vetëvendosje synon një mandat të ri me fokus në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Po i shoh dy premtime kryesore që po dominojnë. Ai për paga që target i ka diku 80 mijë njerëz në administratën publike. Mendoj se janë fokusuar PDK-ja dhe LDK-ja dhe siç dihet administrata publike është e politizuar dhe duke e ditur historikun kush ka qeverisur me vendin i bie që këto dy subjekte kanë hisen më të madhe në politizim dhe potencialisht e shohin elektoratin në këta 80 mijë votues që u premton paga. Dhe VV-ja që s’po premton dhe s’po beson që s’mundet të marrë kushedi çka në këtë trup elektorale, por premtimi tjetër është mbrojtja dhe sigurimi i shtetit ku është fokusuar VV-ja. Ka premtuar një miliard e të tjerët s’kanë dhënë shenja për masa siç ka premtuar VV-ja”, ka thënë ai.

Drenori: Gjuha e liderëve është polarizuese, por brenda normave

2 muaj më parë / 30 jan 2025 23:21
Xhavit Drenori

Analisti politik, Xhavit Drenori, ka vlerësuar se gjuha e përdorur nga liderët në fushatën parazgjedhore është polarizuese, por brenda normave.

Sipas tij, përderisa nuk ka prodhuar asnjë incident, kjo gjuhë është brenda suazave normale të një fushate. 

“Në fushatë politike, në secilin shtet edhe me demokracinë më të konsoliduar në botë liderët politikë shfrytëzojnë apo përdorin instrumente të ndryshme për të fituar votues të rinj. Liderët politikë zhvillojnë fushatën e tyre dhe i përshtaten pak a shumë asaj që është bërë. Liderët politikë po përdorin një gjuhë të vrazhdë dhe nuk po prezantojnë asgjë në fushatë. Disa parti janë më eksplicite në zbërthim të programit, disa më pak. Gjuha është më polarizuese se që do të duhej të ishte, por është brenda suazave normale të një fushate, sepse nuk po prodhon asnjë incident, e që në shtetet tjera të rajonit ka pasur më tepër incidente”, ka thënë ai të enjten në “Zgjedhjet në KOHË” të KTV-së.

Përplasje mes Drenorit e Dakajt: “Ti je militant”, “E ti je i kurdisur”

2 muaj më parë / 30 jan 2025 22:53
Shkelzen Dakaj e Xhavit Drenori

Debat i ashpër është zhvilluar mes gazetarit Shkelzen Dakaj dhe analistit politik, Xhavit Drenori.

Dakaj e ka akuzuar Drenorin si “militant të partive”, derisa Drenori tha se Dakaj “është i kurdisur nga dikush”.

“Kjo është gjuha online. Njeriu jep një mendim dhe kur s’i përshtatet ,e quan militant. Më vjen keq, s’je as gazetar. Ti je i kurdisur që shfrytëzon një media...”, ka deklaruar Drenori.

Dakaj u shpreh se Drenori “i ka shëtitur të gjitha partitë politike”.

Kuçi: Nëse Kurti s’do të kishte dashur t’i thoshin “babë”, s’do t’i thoshin

2 muaj më parë / 30 jan 2025 22:48
Natyra Kuci

Natyra Kuçi nga Partia Socialdemokrate ka thënë se po që se kryeministri dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, s’do të donte që në tubime të bëhej thirrja “Albin Baba”, atëherë kjo s’do të ndodhte.

Në debatin për gjuhën në fushatë, Kuçi në KTV të enjten ka thënë se zëri në fushatë është reflektim i asaj se si partitë e shohin pushtetin.

“Ne kur dolëm nga VV-ja nisi një fushatë online nga një grup i njerëzve të VV-së se ‘këta janë me Serbinë, këta janë spiunë’. Ajo atmosferë që një subjekt e bart te simpatizanti, ajo ushqehet... Nëse Kurti nuk do të donte t’i thoshin babë, ai e kishte ndalë menjëherë këtë. Nëse një grup i aktivistëve në tubimet e para nuk ia kishin nisë me i thanë babë me qëllim nuk i kishin thanë tjerët. Pra është fryma që e bie partia tek elektorati dhe simpatizantët dhe ajo përcillet. Në frymën e partisë dihet çka është e pranueshme e çka jo”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Vetëvendosja ka përfunduar në ideologjinë “ka babë, s’ka ide”.

“Sot kanë ardhur te shpjegimi që e kemi pasur që ky do të jetë edhe baba politik edhe ai që të kontrollon e ta përcakton jetën dhe ai qeshet kur i thonë babë dhe thotë po unë jam baba. E pranon me dëshirën më të madhe dhe shpesh sikur edhe dje në Hajvali, e pranon me krenari rolin që ia ka caktuar vetes por i është thënë përmes zëri të aktivistëve”, ka thënë ajo.