Debati "Zgjedhjet në KOHË" u zhvillua mbi premtimet e partive politike për çështjen e energjisë elektrike, në periudhën 2025-2029.

Të enjten, në debat ishin kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Armend Muja dhe kandidati i koalicionit AAK/Nisma, Edmond Hoxha.

Muja për qeverisjet e kaluara: Rryma për veriun u importua nga Serbia

2 muaj më parë / 30 jan 2025 22:04
Armend Muja VV

Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja, ka deklaruar se gjatë qeverisjeve të partive opozitare, Kosova ka importuar energji elektrike për të paguar rrymën e qytetarëve në veri.

Ai ka thënë të enjten në “Zgjedhjet në KOHË” se për të paguar rrymën e serbëve është importuar energjia nga biznesmenë serbë.

“Sa i përket energjisë elektrike në veri, kur është importuar energji elektrike, importoi KEDS-i që këta (opozita v.j.) e kanë privatizuar dhe është importuar energji elektrike për të paguar rrymën në veri me vendim të tyre. Për të paguar rrymën e serbëve në veri, këta kanë importuar energji nga Vuk Hamoviqi, Damir Fazlliqi, pikërisht biznese serbe. Deri në 2020-n, përfaqësues të vendosur nga PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja kanë importuar rrymë nga Serbia për t’i mbuluar kostot”, ka thënë Muja.

Ai tutje është shprehur se Kosova sot nuk importon rrymë nga Serbia.

“Serbët në veri sot e paguajnë rrymën elektrike, e KEK-u në rekord ka prodhuar 15%, më e larta gjatë kohës sonë se gjatë kohës së tyre. KEK-u ka pasur 105 milionë euro fitim në vitin 2022”, ka thënë Muja.

Muja tutje ka deklaruar se mafia e energjisë elektrike, e lidhur me Serbinë “ka qenë prapa, përfshirë edhe operatorë të brendshëm që kanë qenë të favorizuar nga PDK-ja”.

Strategjia për modernizimin e kapaciteteve energjetike, sipas Mujës së VV-së

2 muaj më parë / 30 jan 2025 21:40
Armend Muja

Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja, ka deklaruar se në mandatin e ardhshëm planifikojnë që të rehabilitohen dhe të modernizohen kapacitetet aktuale të termocentraleve. Ai ka deklaruar se Vetëvendosje e ka në plan “rehabilitimin e thellë” të Kosovës A dhe modernizimin e B1 dhe B2.

Ndërsa, Muja ka përmendur edhe prodhimin e energjisë së ripërtëritshme dhe mundësinë për gjenerimin e kapaciteteve.

“Strategjia jonë e energjisë parasheh dy drejtimi themelore. E para është rehabilitimi dhe modernizimi i kapaciteteve aktuale që i kemi në Kosovën A dhe B, e e dyta prodhimi i energjisë së ripërtëritshme sa i përket kapaciteteve të gjenerimit të energjisë elektrike”, ka deklaruar ai në debatin “Zgjedhjet në KOHË’.

Sipas tij, këto duhet të kombinohen me masat e kursimit të energjisë elektrike.

“Këto duhet të kombinohen me masat e kursimit të energjisë elektrike përmes efiçiencës dhe masat e minimizimit të humbjeve përmes shtrirjes së rrjetit të kogjenerimit dhe ngrohjes në Prishtinë, Ferizaj dhe Mitrovicë, e inkurajimi i minimizimit të humbjeve komerciale që i kemi marrë me 26% e tash kanë mbërri në 15%”, ka thënë Muja.

Hoxha i AAK-së: Termocentrali i ri do të mundësonte uljen e çmimeve të rrymës

2 muaj më parë / 30 jan 2025 21:34
Edmond Hoxha AAK

Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Edmond Hoxha, ka deklaruar se qytetarët po përballen me çmime jashtëzakonisht të larta të energjisë elektrike. Ai ka thënë se një kryefamiljar duhet ta japë gjysmën e pagës për të paguar shpenzimet e energjisë.

Sipas Hoxhës, ndërtimi i një termocentrali të ri do të mundësonte në uljen e çmimeve.

“Çështja e termocentralit i mundëson Kosovës gjenerim të kapaciteteve të reja me çmime të lira, pasi gjenerimi me energjinë me linjit ka kosto të lirë. Kjo ndikon në uljen e barrës së çmimit për qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Hoxha.

Ai tutje ka theksuar se edhe transformimi i kapaciteteve të rrymës me burime të ripërtëritshme duhet të jetë pjesë e qeverisjes në të ardhmen.