Arbëri

Zgjedhjet e 9 shkurtit “zbrazin” Komunën e Prishtinës nga drejtorët

Pesë anëtarë të kabinetit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, do t’ia mësyjnë garës për t’u zgjedhur deputetë. Në mesin e tyre janë edhe dy nënkryetarët nga radhët e LDK-së. Kur ka mbetur edhe një muaj kohë deri në dorëzimin e listës finale, partitë nuk kanë dhënë shumë informacione për kandidatët

Së paku dy nënkryetarë dhe tre drejtorë të Komunës së Prishtinës synojnë karrigen e deputetit të Kuvendit në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Nënkryetarët Alban Zogaj dhe Jehona Lushaku, si dhe drejtorët Florian Dushi, Izet Sadiku dhe Krenar Xhaferi do të jenë në mesin e kandidatëve të LDK-së për deputetë.

Krahas tyre në listë do të jenë edhe zyrtarë të tjerë të LDK-së në komunë si: Fadil Aliu, i angazhuar në sektorin e burimeve njerëzore, shefja e asamblistëve Jeta Rafuna dhe asamblistja Elmire Nikçi.
Kandidaturat e zyrtarëve të lartë komunalë janë zyrtarizuar të enjten mbrëma nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

E nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Lushaku, ka thënë se ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë me postet që aktualisht mbajnë në kryeqytet. Për këtë Lushaku bëri të ditur se ka kërkuar opinion edhe nga Zyra Ligjore.

“Hale nuk e kam vendos, duhet me pa aspektin ligjor, cilat janë obligimet e mia. I prek edhe disa drejtorë të tjerë, jemi disa. Nuk e di se cilat janë obligimet ligjore për stafin politik që mbajnë pozita”, ka thënë Lushaku.

E nënkryetari tjetër, Alban Zogaj, tashmë ka vendosur se si do të veprojë. Ai thotë se nuk është i obliguar të japë dorëheqje nga Komuna e Prishtinës. 

“Me ligj nuk kërkohet dorëheqje, kërkohet me pauzu punën në kohën e kampanjës, quhet si një pezullim i pozicionit, nuk kërkohet dorëheqja me ligj. Andaj, kur të vjen koha e kampanjës dhe kur do të kem angazhim të plotë në kampanjë unë normalisht do ta pezulloj pozicionin tim të nënkryetarit në mënyrë që mos me pasë asnjë konflikt interesi”.

LDK-ja do të ketë në listën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit rreth 20 kandidatë për deputetë nga kryeqyteti.

Ndërkohë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ua ka lënë në diskrecion vetë kandidatëve se si të veprojnë për postet publike që mbajnë.

“Jemi në fazë të fundit por kryetarët e komunave do të jenë në listë. Jemi në fazën çka do të ndodhë. Ata konkurrojnë në listë e pastaj është pjesë e vendimmarrjes së tyre se si do të veprojnë”, ka thënë Muharrem Nitaj, shef i Shtabit të AAK-së për zgjedhjet parlamentare.

Në lidhje me listat gjatë ditës nuk dhanë informacione në Lëvizjen Vetëvendosje dhe as në Partinë Demokratike.

Për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë, subjekteve politike u ka mbetur pak më shumë se një muaj kohë. Afati ka nisur të rrjedhë nga 1 shtatori dhe do të përmbyllet më 11 dhjetor.