Arbëri

Zgjedhja e kryetarit para skadimit të mandatit të Mehmetit shihet si tendencë për kapje të KPM-së

Reagime të shumta ka nxitur vendimi i Bordit të Komisionit të Pavarur për Media për ta zgjedhur kryetarin e ri pak ditë para se t’i skadojë mandati Jeton Mehmetit. Është kontestuar edhe ligjshmëria e vendimmarrjes

Komisioni i Pavarur për Media e ka votuar për kryetar anëtarin e deritashëm të saj, Besnik Berishën, pak ditë para se t’i skadojë mandati kryetarit Jeton Mehmeti. Vendimin e ka mundësuar një plotësim që paraprakisht në këtë mbledhje i është bërë Rregullores së Punës.

Neni i shtuar, e që sipas një numri aktivistësh është në kundërshtim me ligjin, parasheh që zgjedhja e kryetarit e edhe e nënkryetarit të ri, mund të bëhet brenda një muaji para skadimit të mandatit të atyre që janë në detyrë.

Kryetari aktual i KPM-së, Jeton Mehmeti, të cilit i skadon mandati të hënën, ndërpreu mbledhjen duke thënë se vazhdimi i saj nga ai do të përbënte shkelje ligjore.

“Duke u thirrur në ligjin për KPM, nenin 14, dhe në bazë të interpretimit që dha kryeshefi i zyrës ekzekutive që votimi është në rregull, me katër vota ‘për’, zgjidhet Besnik Berisha si kryetar i ri i KPM-së. Në nenin 15 të ligjit të KPM-së mbledhjet i udhëheq kryetari në pajtim më rregulloren e punës së KPM-së. Andaj, kërkoj që kryetari i sapozgjedhur të vazhdojë me udhëheqjen e kësaj mbledhjeje”, tha Mehmeti.

Anëtarët dhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KPM-së thanë se kryetari duhet të qëndrojë në detyrë deri të martën.

“Kryetari i sapozgjedhur sot e vazhdon mandatin e tij nga dita e martë, e jo nga sot. KPM-ja është e qartë në këtë pikë”, tha ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KPM-së Niman Racaj.

E Mehmeti tha se ndihet i pasigurt ligjërisht lidhur me vazhdimin e mbledhjes.

“Nëse është në kompetencë timen siç po interpretoni ju, për shkak të paqartësive që u krijuan sot me rregullore, nuk shoh hapësirë për të vazhduar kjo mbledhje, kështu presim të thirret një mbledhje tjetër”, tha Mehmeti.

Para dhe pas mbledhjes, ky zhvillim i paralajmëruar në KPM ka nxitur reagime.

Drejtoresha ekzekutive e Shoqatës së Mediave Transmetuese në Kosovë, AMPEK, Ardita Zejnullahu, tha se kjo ngre pikëpyetje si për ligjshmërinë ashtu edhe për transparencën e procesit.

“Këto zhvillime krijojnë një precedent të rrezikshëm për pavarësinë e KPM-së dhe për lirinë e medias në Kosovë. Në një demokraci funksionale, ndryshimet që prekin institucione të tilla duhet të ndjekin procedura transparente, të jenë të diskutuara gjerësisht dhe të mos cenojnë integritetin e këtyre institucioneve”,  tha Zejnullahu në një përgjigje për KOHËN.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, nëpërmjet një reagimi, ka shprehur qëndrimin se mënyra e ndryshimit të rregullores është tendencë për politizim të KPM-së.

“AGK-ja e sheh votimin e sotëm si përpjekje të hapur për politizimin dhe instrumentalizimin e KPM-së për interesa të partisë në pushtet, duke u bazuar në qëndrimet publike të iniciatorëve për ndryshimet e sotme”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Por, në KPM insistuan se vendimi ka bazë në ligj. I pyetur lidhur me këto reagime, ushtruesi i detyrës së kryeshefit Niman Racaj tha se gjithçka ka qenë në përputhje me ligjin.

“Është ekzagjeruar shumë... Edhe Gjykata Kushtetuese e ka këtë praktikë për të pasur titullar. Nuk ka ndodhur shkarkim. Qëllimi ka qenë që të zgjidhet kryesia për shkak se kemi rrezikuar të mbetemi pa kryetar”, tha Racaj.

Javën e ardhshme KPM-ja do të mbetet pa kuorum. Dy anëtarëve u ka përfunduar mandati prej më shumë se një viti e dy të tjerëve, përfshirë kryetarin Mehmeti, u skadon të hënën, duke e lënë bordin me vetëm tre anëtarë.

Komisioni i Pavarur i Mediave, i themeluar në vitin 2005, është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Kosovë. Ajo licencon transmetuesit publikë e privatë, përcakton dhe zbaton politikën e transmetimit si dhe rregullon të drejtat, detyrimet si dhe përgjegjësitë e personave fizikë dhe juridikë, të cilët ofrojnë shërbimet mediale audiale dhe audiovizuale.

Anëtarët e KPM-së emërohen nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa kryetari dhe nënkryetari zgjidhen me votat e fshehta të anëtarëve të KPM-së.

Dy prej shtatë anëtarëve të bordit të këtij institucioni u kishte kaluar mandati në tetorin e 2023-s e Kuvendi s’e kishte bërë zëvendësimin e tyre. Dy të tjerëve u skadon më 21 janar, dhe bordi mbetet pa kuorum në kohë fushate zgjedhore.

Për zëvendësimin e dy anëtarëve që u ka përfunduar mandati, janë shpallur dy herë konkurse, por Kuvendi në seancë ka dështuar t’i emërojë. Në nëntor ishte bërë shpallja e tretë dhe KPM-ja i kishte procedura në fillim të dhjetorit aplikacionet në Kuvend.

Pushteti, edhe pse kishte mjaftueshëm anëtarë në Komisionin Parlamentar për ta formuar komisionin intervistues, e bënte përgjegjëse opozitën për pengim të themelimit të tij me arsyetimin se “kandidatët s’mund të intervistohen vetëm nga mazhoranca”.