Zëvendëssekretari i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, në kuadër të turneut në vendet e Ballkanit Perëndimor, sot ka qëndruar në Prishtinë.
Ai është pritur në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e më pas nga kryeministri Albin Kurti.
Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një komunikate, ditë më parë, ka treguar se cila do të jetë agjenda e diskutimit në Kosovë.
“Në Kosovë, ai do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë kosovarëve. Ai gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e fuqishme për Ukrainën dhe për ndihmën e saj për afganët në nevojë”, thuhet komunikatën e DASH-it.

Kurti në takim me zëvendëssekretarin amerikan: Serbia po vazhdon shkeljen e Marrëveshjes Bazë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të premten me zëvendëssekretarin e Shtetit për Menaxhim dhe Burime të SHBA-së, Richard R. Verma. Ata diskutuan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, për mundësi të reja për avancimin dhe thellimin e tyre dhe për përfitimet nga Dialogu Strategjik.
Kurti, sipas komunikatës nga Kryeministria, e njoftoi Verman mbi zhvillimin dhe progresin e Kosovës, me synimet strategjike për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian.
Ndërkaq, Kurti ka përmendur edhe dialogun me Serbinë. Ka thënë se Serbia vazhdon ta shkelë Marrëveshjen Bazike.
“Në takim gjithashtu u diskutua edhe për bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet fqinjësore dhe procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kryeministri vuri theksin te shkeljet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Marrëveshjes Bazike, që vijnë si rezultat edhe i mosnënshkrimit të saj dhe aneksit të zbatimit, si dhe mosdorëzimin e kryeterroristit Millan Radoiçiq dhe grupit të tij përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023 ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku”, thuhet të ketë thënë Kurti në takim.
Osmani pas takimit me zëvendëssekretarin amerikan: Kosova do ta finalizojë Dialogun Strategjik me SHBA-në
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka njoftuar se Kosova dhe SHBA-ja së shpejti do ta finalizojnë marrëveshjen për Dialogu Strategjik.
Ajo ka thënë se lajmi i është konfirmuar nga zëvendëssekretari i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, të cilin e ka pritur në takim të premten.
“Pas propozimit që i kam dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Presidente e Republikës qysh në vitin 2021, pastaj rikonfirmuar në qershor të vitit 2022 nëpërmjet notës verbale si dhe në takimin me Sekretarin Blinken në korrik 2022, si dhe pas një pune të jashtëzakonshme të ekipeve tona përgjatë viteve të kaluara, sot në takim me zëvendëssekretarin amerikan Richard Verma mu konfirmua se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik”, ka shkruar Osmani.
Ajo e ka cilësuar këtë si arritje të jashtëzakonshme.
“Kjo është një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate. Falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë përkrahje ndaj popullit të Kosovës dhe mezi pres ta vazhdojmë bashkëpunimin intensiv në interes të Kosovës. Ekipet tona do të takohen së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Osmani pas takimit.
Dialogu Strategjik mes SHBA-së dhe shteteve është forum për të thelluar partneritetin mes tyre e që prek disa fusha, si të sigurisë, ekonomike dhe lidhjet mes popujve.
Në një komunikatë të Presidencës thuhet se "në takim u diskutua për përkushtimin e Kosovës për reforma në sundimin e ligjit, avancimin e qeverisjes së mirë dhe promovimin e një mjedisi të qëndrueshëm për investime dhe zhvillim ekonomik".
"Presidentja Osmani dhe sekretari Verma diskutuan gjithashtu kontributin e Kosovës në çështjet ndërkombëtare, përfshirë pritjen e qytetarëve afganë, mbështetjen për Ukrainën dhe angazhimin e vazhdueshëm në promovimin e paqes dhe sigurisë globale", thuhet tutje në komunikatë.