Pritoret e autobusëve në Komunën e Prishtinës janë duke u zëvendësuar.
KOHA ka siguruar pamje të njërës prej pikave të pritjes në kryeqytet gjatë tërheqjes së pritores.

Sipas Komunës së Prishtinës, zëvendësimi po ndodh për shkak të problemeve, amortizimit e vjetërsimit të kabinave.
“Po. Jemi në proces të zëvendësimit. Ato që kanë qenë të vjetërsuara, të amortizuara, me probleme”, ka thënë shkurtazi nënkryetari Alban Zogaj.
Marrëveshja për vendosjen e 50 pritoreve në Prishtinë ka qenë që të montoheshin nga fundi i janarit të vitit 2020, ndërsa pritorja e parë ishte vendosur me gjashtë muaj vonesë.
Më 30 tetor të vitit 2019, Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Selmans Network” për furnizimin me pajisje dhe vendosjen e pritoreve për autobusë të transportit publik të udhëtarëve.
Kjo kontratë, Komunës së Prishtinës i ka kushtuar 292 mijë e 500 euro.