Arbëri

Zëvendësohen deputetët që u bënë ministra, debat për kuotën

Kuvendi i Kosovës do të ketë sërish përbërje të re. Kjo ngase deputetët që u emëruan nëpër pozita udhëheqëse në Qeveri, u zëvendësuan me 11 deputetë të rinj të legjislaturës së shtatë.

Zëvendësimi i tyre është bërë në bazë të renditjes së votave në zgjedhjet e 6 tetorit dhe në bazë të të njëjtës gjini, raporton KTV.

Deputetët e rinj nga Vetëvendosje janë: Enver Haliti që zëvendëson Albin Kurtin, Alban Hyseni që zëvendëson Glauk Konjufcën, Arta Bajralija zëvendëson Albulena Haxhiun, Fitim Haziri Arben Vitinë dhe Eman Rrahmani zëvendëson Haki Abazin.

5 deputetët e rinj nga LDK-ja janë: Hatim Baxhaku që zëvendëson Anton Qunin, Fidan Rekaliu Lumir Abdixhikun, Xhavit Uka Avdullah Hotin, Besa Gaxherri Hykmete Bajramin dhe Shkumbin Gashi që zëvendëson Besian Mustafën.

Ndërkaq, Emilja Rexhepin do ta zëvendësojë Zikreta Aliti.

Anëtarët e KQZ-së nga Vetëvendosje kundërshtuan mënyrën e zëvendësimit të deputetëve.

Sami Kurteshi ka thënë se neni 112, paragrafi 2 i Ligjit për zgjedhjet është jokushtetues, pasi, sipas tij, zëvendësimi i deputetëve nuk duhet të bëhet sipas të njëjtës gjini, por sipas votave që kanë marrë.

Por, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se Ligji për zgjedhjet e thotë qartë se si duhet të bëhet zëvendësimi i deputetëve.

Me 8 vota për dhe 2 abstenime nga anëtarët e Vetëvendosjes, KQZ-ja miratoi vendimin për deputetët e rinj që do t’i zënë ulëset e atyre që u bënë pjesë e Qeverisë.